2432Specialistë të marrëdhënieve me publikun
Grup njësi · 8 profesione
Përshkrimi
Specialistët e marrëdhënieve me publikun, planifikojnë, zhvillojnë, zbatojnë e vlerësojnë strategjitë e komunikimit dhe informacionit me qëllim që të krijojnë një imazh të kuptueshëm dhe pozitiv për bizneset edhe organizatat e tjera, për produktet ose shërbimet e tyre dhe për rolin e tyre në komunitet. Specialisti i marrëdhënieve me publikun monitoron efektin që kanë në publik vendimet apo performanca e organizatës dhe këshillon manaxherët për reagime, shkrime,evente, aktivitete promocionale etj.
Detyrat kryesore
- Planifikojnë dhe organizojnë fushata publicitare dhe strategji komunikimi;
- Këshillojnë drejtuesit për ndikimet që kanë politikat, programet dhe praktikat e tyre tek publiku dhe anasjelltas, për ndikimin që kanë marrëdhëniet me publikun te imazhi i organizatës;
- Përgatisin dhe kontrollojnë nxjerrjen e njoftimeve për shtyp dhe lajmeve të organizatës apo institucionit;
- Porositin ose kryejnë vetë studime të opinionit publik, i analizojnë të dhënat dhe planifikojnë fushata të marrëdhënieve me publikun dhe fushata promocionale;
- Organizojnë evente speciale, seminare, konferenca, konkurse apo aktivitete sociale për të promovuar biznesin dhe për të krijuar imazh të mirë dhe të favorshëm;
- Përfaqësojnë organizatën në media dhe rregullojnë intervista në media të zyrtarëve të organizatës;
- Porosisin ose bëjnë vetë foto apo materiale të tjera ilustrative, broshura, fletëpalosje etj. për promovimin e organizatës;
- Përzgjedhin, vlerësojnë dhe rishikojnë materialet e shkruara, fotografitë, ilustrimet etj. për të krijuar imazh pozitiv dhe të favorshëm të organizatës;
- Mbajnë kontakte dhe marrëdhënie të mira me gazetarët;
- Mirëmbajnë një bazë të dhënash të adresave të gazetarëve, drejtues vetë medias, monitorojnë gjithçka që shkruhet e thuhet në media për organizatën;
- Publikojnë, monitorojnë dhe përditësojnë me informacione website-in e organizatës. Menaxhon gjithë kanalet e shpërndarjes së informacionit, përfshi mediat sociale;
- U përgjigjen interesit të medias për të dhënë informacione për organizatën, pasi këshillohen me drejtuesit apo manaxherët;
- Raportojnë te manaxherët për shikueshmërinë dhe publicitetin që ka patur në media organizata apo biznesi dhe rekomandojnë hapat e mëtejshëm për të ruajtur imazhin e mirë;
- Reagojnë në raste krize, menaxhojnë reputacion e organizatës;
- Ndjekin takime biznesi, evente sociale për të promovuar organizatën;
- Rritin aftësitë e veta profesionale.
Kërkesat
- Preferohet arsim i lartë;
- Kualifikime në fushën e gazetarisë, komunikimit, marrëdhënieve me publikun etj.;
- Aftësi të mira komunikuese;
- Zotësi për të vepruar.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës apo nëpunës i marrëdhënieve me publikun dhe marrëdhënieve me shtypin, duke pasur si fillim dhe arsim të mesëm. Por me kryerjen e arsimit të lartë dhe kualifikime ne degët komunikim apo gazetari, mund të punësohet si specialist i marrëdhënieve me publikun. Më eksperiencë dhe kualifikime të mëtejshme mund të marrë dhe role drejtuese në drejtoritë apo sektorët e marrëdhënieve me Publikun ose mund të punësohet dhe si këshilltar për mediat në institucione private e publike. Specialistët e marrëdhënieve me publikun mund të punësohen në çdo institucion publik apo privat.
Profesionet në këtë grup
- Specialist i marrëdhënieve me publikun
- Specialist i marrëdhënieve me shtypin
- Specialist i marrëdhënieve me jashtë
- Specialist komunikimi
- Specialist koordinimi
- Zëdhënës komunikimi me Publikun
- Koordinator kombëtar
- Koordinator në institucione

