2431Specialistë të marketingut dhe reklamës
Grup njësi · 8 profesione
Përshkrimi
Specialistët e marketingut dhe reklamës zhvillojnë dhe koordinojnë fushatat dhe strategjitë reklamuese, përcaktojnë tregun për produktet dhe shërbimet, identifikojnë dhe zhvillojnë mundësitë për shërbime dhe produkte të reja në treg. Ata këshillojnë manaxherët dhe klientët për strategjitë që duhen ndjekur për të arritur tregun e synuar dhe për të maksimizuar fitimet.
Detyrat kryesore
- Planifikojnë, zhvillojnë dhe organizojnë politika dhe fushata reklamuese për të mbështetur objektivat e shitjes;
- Këshillojnë manaxherët dhe klientët mbi strategjitë dhe fushatat për të arritur tregun e synuar, për të ndërgjegjësuar konsumatorin dhe për të promovuar me sukses vlerat e shërbimeve dhe produkteve;
- Shkruajnë tekstin e reklamave për mediat dhe punojnë me mediat ose mbikëqyrin prodhimin e reklamës dhe vendosin për publikimin e saj në median që ka audiencën e duhur dhe duke përcaktuar dhe kohën e duhur të shfaqjes së reklamës;
- Analizojnë tregun lidhur me produktet apo shërbimet konkurrente;
- Analizojnë të dhënat për preferencat dhe kërkesat e konsumatorit;
- Interpretojnë dhe parashikojnë tendencat aktuale të konsumatorit dhe tendencat në të ardhmen;
- Studiojnë treguesit potencialë për produkte të reja, analizojnë karakteristikat e tregut për këto produkte apo shërbime të reja dhe mbledhin dhe analizojnë të dhëna dhe informacione të tjera statistikore;
- Mbështesin rritjen dhe zhvillimin e biznesit ku punësohen, përmes përgatitjes dhe ekzekutimit të objektivave, politikave dhe programeve të marketingut;
- Raportojnë dhe këshillojnë shefat ekzekutivë për të gjithë elementët e marketingut si: produktet, çmimet, reklamat, promovimi i shitjeve, për shitjet dhe kanalet e shpërndarjes, për ofertat e ndryshme etj.;
- Mirëmbajnë bazën e të dhënave të klientëve potencialë, kontaktojnë me ta për të promovuar produktet apo shërbimet e reja;
- Monitorojnë efektin e fushatave të promocionit, përllogarisin raportin e investimit me kthimin e fitimeve nga promocioni;
- Rritin aftësitë e veta profesionale në këtë sektor.
Kërkesat
- Preferohet arsim i lartë;
- Kualifikime në fushën e marketingut, shitjeve, marrëdhënieve me klientin, industrinë e reklamave etj.;
- Aftësi të mira komunikuese;
- Zotësi për të vepruar.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si agjent publiciteti apo reklame duke pasur vetëm arsim të mesëm. Me eksperiencë dhe me Arsim të lartë mund të kalojë në nivelin punonjës i kualifikuar si specialist i marketingut dhe i reklamës. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm por dhe eksperiencës, mund të marrë funksione mbikëqyrëse si drejtues të shitjeve dhe marketingut. Specialistët e reklamës dhe të marketingut mund të punësohen në organizata biznesi, në industrinë e telekomunikacionit, industrinë kozmetike, farmaceutike, ushqimore etj.
Profesionet në këtë grup
- Agjent publiciteti dhe reklame
- Konsulent i metodave të promocionit të shitjeve
- Konsulent i metodave të shitjes
- Konsulent për shitje
- Specialist reklame
- Analist hulumtimi tregu
- Specialist marketingu
- Specialist i marrëdhënieve me klientin/institucione financiare

