2223Krye infermierë dhe krye mami

Grup njësi · 6 profesione

Përshkrimi

Krye infermieri/ja dhe krye mamia drejton dhe organizon personelin infermieror. Organizon, udhëheq, kontrollon dhe koordinon aktivitetin e Shërbimit të Kujdesit Infermieror sipas politikave të përcaktuara nga Sektori i Kujdesit Infermieror të Drejtorisë të Institucionit Shëndetësor përkatës, si dhe siguron shërbimi cilësor të Kujdesit Infermieror për të gjithë të sëmurët e shtruar në Shërbimin e tij/e saj. Ajo/ai planifikon burimet njerëzore të kujdesit Infermieror në Shërbimin/repartin e tij/e saj, si dhe përpilon grafikun e Shërbimit Infermieror dhe kontrollon zbatimin e tij. Infermieri/ja dhe mamia harton dhe administron të gjithë regjistrat, dokumentet e shërbimit, kartelat infermierore dhe ato klinike, librin e barnave, librat e dorëzimeve të turneve, fletët rekomanduese etj., si dhe bashkëpunon me eprorët dhe vartësit dhe raporton për punën e kryer. Ai mund të punësohet kompani shërbimesh shëndetësore, në spitale shtetërore dhe private apo qendra të tjera të kujdesit shëndetësor.

Detyrat kryesore

  • Organizojnë dhe koordinojnë aktivitetin e Shërbimit të Kujdesit Infermieror, sipas politikave të përcaktuara nga Sektori i Kujdesit Infermieror të Drejtorisë të Institucionit Shëndetësor përkatës.
  • Udhëheqin dhe kontrollojnë aktivitetin e Shërbimit të Kujdesit Infermieror sipas politikave të përcaktuara nga Sektori i Kujdesit Infermieror të institucionit shëndetësor përkatës;
  • Drejtojnë dhe sigurojnë shërbimin cilësor të kujdesit infermieror për të gjithë të sëmurët e shtruar në shërbimin, repartin e tyre.
  • Marrin pjesë aktive në hartimin dhe zbatimin e politikave shëndetësore të kujdesit infermieror.
  • Planifikojnë burimet njerëzore të kujdesit infermieror në Shërbimin, repartin e tyre.
  • Përpilojnë grafikun e Shërbimit Infermieror dhe kontrollojnë zbatimin e tij.
  • Ndjekin, kontrollojnë dhe vlerësojnë cilësinë e Shërbimit Infermieror të ofruar nga personeli infermieror i Shërbimit dhe informojnë për çdo problem eprorët përgjegjës;
  • Hartojnë, çdo ditë, listën e barnave dhe materialeve të domosdoshme të Shërbimit dhe e dorëzojnë atë në Farmaci.
  • Hartojnë dhe administrojnë të gjithë regjistrat dhe dokumentet e Shërbimit, Kartelat Infermierore dhe ato Klinike, librin e barnave, librat e dorëzimeve të turneve, fletët rekomanduese etj.
  • Hartojnë kartelën personale infermierore të pacientit dhe kontrollojnë zbatimin e detyrave dhe porosive të lëna sipas tyre.
  • Raportojnë aktivitetin infermieror të kryer gjatë 24 orëve.
  • Kontrollojnë herë pas here, sipas nevojave dhe gjykimit të tyre, kryerjen e aktivitetit infermieror në turnin e pasdites dhe të natës.
  • Sigurojnë të gjithë medikamentet dhe materialet e tjera të nevojshme, të disponueshme nga Institucioni, për kryerjen me cilësi të shërbimit infermieror.
  • Qarkullojnë personelin infermieror brenda Shërbimit sipas nevojave që dalin, pas njoftimit dhe miratimit të Shefit të Shërbimit.
  • Kontrollojnë zbatimin korrekt dhe pa mungesa të protokolleve të mjekimit për të sëmurët e shtruar sipas kartelave klinike.
  • Marrin pjesë në vizitën e përgjithshme të kryer nga Shefi i Shërbimit.
  • Organizojnë mbledhje me personelin infermieror për problematika të ndryshme dhe për analiza të punës në Shërbim.
  • Kontrollojnë dhe marrin masa për sigurimin e higjienës dhe rregullit të Shërbimit.
  • Kontrollojnë zbatimin e disiplinës në punë dhe etikës profesionale nga personeli infermieror i Shërbimit.
  • Përgatitin çdo ditë listën ushqimore sipas dietave të të sëmurëve dhe e dërgojnë atë në Administratën e Institucionit.
  • Kontrollojnë cilësinë dhe monitorojnë shpërndarjen e ushqimit të të sëmurëve.
  • Organizojnë dhe drejtojnë edukimin e vazhdueshëm të personelit infermieror të Shërbimit.
  • Organizojnë dhe ndjekin praktikat e studentëve të Fakulteteve të Infermierisë në Shërbimin e tyre.
  • Njohin me detyrat e punësimit në Shërbim punonjësit e rinj.
  • Propozojnë masa ndëshkimore për infermierët e Shërbimit, në rast shkeljeje të rregullores dhe të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës, pas njoftimit të Shefit të Shërbimit dhe Kryeinfermier-it/es të Përgjithsh-ëm/me të Institucionit Shëndetësor.
  • Pajisin me fletë dalje, raport mjekësor apo dokumente të tjera pacientët në dalje;
  • Organizojnë dhe kontrollojnë punën e përgjegjësve të materialit.
  • Organizojnë dhe kontrollojnë punën e sanitareve.
  • Propozojnë masa për përmirësimin e kushteve të punës në Shërbimin e tyre.
  • Administrojnë dhe kontrollojnë të gjithë materialet dhe pajisjet e Shërbimit të tyre.
  • Bëjnë vlerësimin etik dhe profesional vjetor të infermierëve në formularë të posaçëm në lidhje me performancën e tyre në punë.

Kërkesat

  • Të ketë përfunduar studimet e Larta për Infermieri me rezultate të mirat.
  • Të ketë Gradë Shkencore ose të jetë në proces studimi ose të ketë kryer kurse kualifikimi të certifikuara në një Specialitet të caktuar.
  • Të ketë dhënë Provimin e Shtetit sipas Programeve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë për marrjen e Licencës së Ushtrimit të Profesionit Infermier.
  • Të jetë i regjistruar pranë Urdhrit të Infermierit.
  • Të ketë aftësi komunikuese.
  • Të njohë të paktën një gjuhë të huaj (preferencë Anglisht ose Frëngjisht meqë janë gjuhët më të përdorura në fushën e Shëndetësisë).
  • Të ketë njohuri kompjuterike bazë dhe specifike.
  • Të ketë eksperiencë në punë si infermier-/e në Shërbim Klinik Spitalor mbi 10 vite.

Informacion shtesë

Një Infermier pas kryerjes së Masterit Profesional mund të kualifikohet ose të specializohet në një Specialitet të caktuar me anë të kurseve afatshkurtra ose afatgjata të Edukimit Profesional në Vazhdim, sipas Kritereve dhe Kërkesave të Institucionit ku punon.

Pas një periudhe 10 vjeçare të ushtrimit të profesionit si Infermier dhe ecurisë së tij / të saj në grada shkencore si Masteri Shkencor apo Doktoraturë në Infermieri, infermier-i / ja mund të promovohet në poste Drejtuese apo Administrative në Sektorët Infermieristik përkatës të Shërbimeve Shëndetësore ku është i punësuar. Gjithashtu infermierët që arrijnë në këtë status mund të jenë dhe pjesë aktive në Sektorin Pedagogjik dhe Didaktik të studentëve të rinj të Fakultetit të Infermierisë.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Infermier konsultoreje, infermier në ortopedi, infermier në shërbim mjekësor, infermier në klinikë, infermier në maternitet etj.

Profesionet në këtë grup

  • Krye infermier
  • Krye mami
  • Krye mami i përgjithshëm në maternitet
  • Krye infermier i përgjithshëm në spital
  • Krye infermier pavijoni/reparti
  • Krye mami pavijoni/reparti

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye