2222Mami të specializuara
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Mami/a i/e specializuar siguron planifikimin, dhënien dhe vlerësimin e kujdesit dhe shërbimeve mbështetëse ndaj nënave dhe foshnjave para dhe mbas shtatzënisë, sipas praktikave dhe standardeve moderne, si dhe kontrollon progresin gjatë shtatzënisë dhe lindjes, menaxhon komplikacionet e nënave dhe të foshnjave duke bashkëpunuar me personelin mjekësor të specializuar në obstetrike. Ai/Ajo ndërhyn në raste urgjente, në mbajtjen e funksioneve vitale të pacientit ose të porsalindur, jeta e të cilëve rrezikohet, zbaton e respekton rregullat e administrimit të medikamenteve/barnave, shoqëron pacientin në ekzaminime imazherike, skopi, grafi, Eko, marrjen a analizave të ndryshme, etj., duke punuar në mënyrë autonome ose në grup me punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor. Ai/Ajo mund të punësohet në institucione kompani shërbimesh shëndetësore, në maternitete, spitale shtetërore dhe private, qendra të tjera të kujdesit shëndetësor apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Kryejnë planifikimin, dhënien dhe vlerësimin e kujdesit dhe shërbimeve mbështetëse ndaj nënave dhe foshnjave para dhe mbas shtatzënisë, sipas praktikave dhe standardeve moderne;
- Sigurojnë një pritje sa më të mirë të pacientit në pranim, duke e dëgjuar atë me kujdes dhe duke vendosur një raport sigurie ndaj pacientit;
- Identifikojnë nevojat, problemet prioritare të pacientit në përputhje me kompetencat e veta;
- Vlerësojnë kujdesjet që japin dhe i evoluojnë ato në funksion të gjendjes së pacientëve dhe të bebeve;
- Kontrollojnë progresin gjatë shtatzënisë dhe lindjes;
- Menaxhojnë komplikacionet gjatë shtatzënisë dhe lindjes;
- Dallojnë shenjat paralajmëruese që kanë nevojë për referim ndaj mjekëve të specializuar në obstetrikë;
- Monitorojnë shëndetin e foshnjave dhe dallon shenjat paralajmëruese që kanë nevoje për referim ndaj mjekeve të specializuar në neonatologji;
- Monitorojnë dhimbjen dhe shqetësimet e grave gjatë lindjes dhe lehtëson dhimbjen e tyre gjatë lindjes, duke përdorur terapi të ndryshme, duke përfshirë përdorimin e medikamenteve qetësuese;
- Marrin pjesë dhe bashkëpunojnë me mjekun në vlerësimin klinik të sëmurëve dhe jep kujdesje kuruese dhe parandaluese;
- Ndërhyjnë në raste urgjente, në mbajtjen e funksioneve vitale të pacientit ose të porsalindurve, jeta e të cilëve rrezikohet;
- Praktikojnë lindjen normale, epiziotominë dhe nxjerrjen e placentës;
- Shoqërojnë pacientin në ekzaminime imazherike, skopi, grafi, Eko, marrjen a analizave të ndryshme, etj., duke u interesuar për shënimet përkatëse në kartela;
- Zbatojnë e respektojnë rregullat e administrimit të medikamenteve;
- Nxjerrin nga kartelat klinike terapinë ditore të repartit në një regjistër të veçantë, duke plotësuar bllokun e tërheqjes së barnave ditore nga farmacia, sipas procedurave të paracaktuara;
- Kontrollojnë dhe plotësojnë barnat e urgjencës duke evidentuar harxhimet e tyre në bazë të kartelave klinike duke i tërhequr në kohë nga farmacia dhe duke kryer shpërndarjen e tyre tek të sëmurët;
- Realizojnë sigurinë dhe higjienën e kujdesjeve të tij, mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe administrimin e tyre;
- Kontrollojnë funksionimin e aparaturave të ndryshme në klinikën e saj;
- Kontribuojnë në inkuadrimin e personelit të ri, studentëve të infermieristikës në periudhën e praktikave të tyre mësimore;
- Raportojnë lindjet ndaj autoriteteve qeverisëse për t’iu përmbajtur nevojave ligjore dhe profesionale;
- Kryejnë kërkime mbi praktikat dhe procedurat e mamive dhe shpërndan gjetjet e kërkimeve nëpërmjet artikujve ose raporteve shkencore;
- Drejtojnë procese edukimi për komunitetin mbi shëndetin, ushqimin, higjienën, ushtrimet, lindjet dhe planet e emergjencës, ushqimin me gji, kujdesin ndaj foshnjave, planifikimin familjar, stilin e jetesës dhe tema të tjera lidhur me shtatzëninë dhe lindjen;
- Mbajnë statistika dhe kryejnë studime statistikore për punën e bërë;
- Komunikojnë me profesionalizëm me eprorë, kolegë dhe të tjerë duke respektuar shkallën hierarkike;
- Mbikëqyrin dhe bashkëpunojnë me ekipin mjek-infermier-sanitar për të siguruar dhënien e një kujdesi mjekësor gjithëpërfshirës;
- Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata duke ruajtur sekretin profesional;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Kërkohet të ketë diplomë universitare
- Të ketë kryer një kurs apo master në një Specialitet e caktuara.
- Të ketë dhënë Provimin e Shtetit sipas Programeve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë për marrjen e Licencës së Ushtrimit të Profesionit Infermier.
- Të jetë i regjistruar pranë Urdhrit të Infermierit.
- Të ketë aftësi komunikuese.
- Të njohë të paktën një gjuhë të huaj
- Të ketë eksperiencë në punë si infermier-/e në Shërbim Klinik Spitalor
- Të jetë i aftë mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si asistent. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin specialistit të fushës, Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm me studime të thelluara me Master Shkencor apo Doktoraturë në Infermieri, një mami i/e specializuar mund të promovohet në poste drejtuese të Sektorëve përkatës të shërbimeve shëndetësore ku është i punësuar apo trajnimit nëpërmjet punës.
Gjithashtu infermierët që arrijnë në këtë status mund të jenë dhe pjesë aktive në Sektorin Pedagogjik dhe Didaktik të studentëve të rinj të Fakultetit të Infermierisë.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: mami e specializuar.
Profesionet në këtë grup
- Mami e specializuar
- Mami e specializuar për repartin e Obstetrikës
- Mami e specializuar për repartin e Gjinekologjisë
- Mami e specializuar për repartin e Patologjisë së Barrës
- Mami e specializuar për Shërbimin e Terapisë Intensive
- Mami e specializuar për Shërbimin e Neonatologjisë
- Mami e specializuar (edukimi) për Qendra e Shëndetit të Gruas

