2161Arkitektë ndërtese
Grup njësi · 9 profesione
Përshkrimi
Arkitekti i ndërtesës dizajnon, kompozon dhe projekton ndërtesa civile (komerciale, institucionale, rezidenciale dhe rekreative), bujqësore dhe industriale, planifikon e monitoron ndërtimin e tyre. Arkitekti e kompozon punën e tij duke pasur parasysh disa objektiva që ndërtesa të jetë e qëndrueshme, funksionale dhe estetike. Ai e ideon dhe projekton ndërtesën si të pashkëputur nga urbanistika dhe nga organizimi hapësinor i grupeve të ndërtesave me funksione të ndryshme si rrjeti rrugor, struktura urbane etj.
Arkitekti i ndërtesës mund të punësohet në institucione publike, në kompani private, por mund ta ushtrojë edhe vetë (i vetëpunësuar) këtë aktivitet pasi të jetë pajisur me licencën përkatëse.
Detyrat kryesore
- Inspektojnë, konsultojnë me klientin, personelin manaxhues apo aksionerët për vendndodhjen, formën, stilin dhe përmasat e objektit qe do të projektojë në raport me ndërtesat ekzistuese;
- Marrin informacion zyrtar për organizimin e objekteve të tjera përreth ndërtesës që do projektojnë, për sistemin rrugor, rrjetet e tjera inxhinierike, sistemin hidrik, elektronik etj.;
- Studiojnë kushtet e krijuara nga konteksti urbanistik, si dhe distancat nga ndërtesat e tjera;
- Kryejnë vetë ose së bashku me një apo grup urbanistësh një studim të pjesshëm urbanistik (SPU), pjesë e të cilit është edhe ndërtesa në fjalë;
- Hartojnë një plan të përgjithshëm të ndërtesës, duke pasur parasysh ambientet kryesore, ato ndihmëse, argëtuese, etj. dhe sipërfaqet e secilës në raport me ndërtesën;
- Hartojnë një projekt duke shfrytëzuar vetitë bioklimatike të elementeve të ndërtesës ose ato që i shtohen, si p.sh panelet diellore, duke shfrytëzuar edhe orientimin për një kursim ose përfitim sa më të mirë të energjisë;
- Kryejnë një plan konstruktiv për shpërndarjen e rrjetit të kolonave, kafazin e shkallëve, sipërfaqet e xhamit, planin e çatisë, nëse ka, etj.;
- Vendosin për përdorimin e materialeve në ndërtese, duke i shërbyer anës estetike, ekuilibrit të ndërtesës (dru, xham, gur);
- Përcaktojnë ngjyrat e ndryshme të materialeve që rrisin anën estetike të ndërtesës;
- Bëjnë përpunimin grafik të projektit, duke kryer vizatime të ndryshme të pjesëve të ndryshme të projektit në 2D dhe 3D, planimetri, fasada, prerje, aksonometri, për punime imazhesh, etj.;
- Përgatitin një maket, të krijuar me materialet e ndryshme: plastike, shkumë deti, dru, metal, etj. duke u bazuar në projekt;
- Shkruajnë specifikimet dhe dokumentet e kontratës që do përdoren nga ndërtuesit dhe ndihmojnë ose bëjnë thirrjen e tenderëve për zbatimin e projektit në emër të klientit;
- Monitorojnë ndërtimin ose restaurimin në përputhje me specifikimet dhe standardet e cilësisë;
- Monitorojnë dhe konsultohen me specialistët për problemet teknike;
- Zhvillojnë dhe ideojnë teori të përmirësuara në fushën e arkitekturës;
- Rritin dhe zhvillojnë aftësitë e veta përmes kualifikimeve në këtë sektor;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Arsim i lartë, preferohet në Arkitekturë, Inxhinieri Ndërtimi ose Kualifikime të ndryshme profesionale;
- Preferohet të njohë programe kompjuterike si 3Dmax , 3D, Lightwave, Photoshop, Adobe Illustrator etj.;
- Licencë të marrë nga Komisioni i posaçëm pranë Drejtorisë përgjegjëse për licencimin në Ministrinë e zhvillimit Urban.
Informacion shtesë
Arkitekti i ndërtesës mund të nisë karrierën e tij edhe si ndihmës arkitekt ose si dizenjues, dekorator etj. Gradualisht me kualifikime profesionalemund të arrijë të bëhet arkitekt. Përveç njohurive akademike e profesionale në këtë sektor i duhet të njohë dhe programe grafike ku do të hedhë projektin e tij si 3dmax , 3 D, Lightwave, Photoshop, Adobe Illustrator, etj. Një arkitekt mund të punësohet në organizata biznesi, por dhe në institucione shtetërore e kërkimore. Ai gjithashtu e ushtron këtë profesion tashmë të rregulluar si i vetëpunësuar me Licencën përkatëse. (VKM Nr. 759, datë 12.11.2014).
Profesionet në këtë grup
- Arkitekt ndërtesash
- Arkitekt peizazhi
- Arkitekt për ambientet e brendshme
- Projektues arkitekt
- Arkitekt mbikëqyrës punimesh në ndërtim
- Projektues instalator
- Projektues konstruktor
- Arkitekt kolaudues punimesh në ndërtim
- Arkitekt restaurues

