2112Meteorologë

Grup njësi · 4 profesione

Përshkrimi

Meteorologu/ja kryen parashikime afatshkurtra apo afatgjata të motit për t’u përdorur në fushën e aviacionit, flotës detare, bujqësisë e në fusha të tjera, si dhe informon publikun e gjerë në lidhje me kushtet atmosferike nëpërmjet medias, duke përfshirë radion, televizionin, shtypin dhe internetin. Ai/Ajo kryen kërkime lidhur me përbërjen, strukturën dhe dinamikën e atmosferës, kryen eksperimente mbi fenomene të ndryshme të atmosferës, si dhe realizon hulumtime, përmirësime dhe zhvillime të koncepteve, teorive dhe metodave operative, lidhur me përbërjen, strukturën dhe dinamikën e atmosferës, si dhe përgatitjen e skicave dhe hartave apo raporteve të parashikimit të hollësishëm dhe afatgjatë të motit. Ai/Ajo mund të punësohet në institucione që ofrojnë shërbime të meteorologjisë apo struktura të forcave ajrore të ushtrisë.

Detyrat kryesore

  • Kryejnë studime dhe kërkime mbi drejtimin dhe shpejtësinë e lëvizjeve ajrore, presionet, temperaturat, lagështinë, transformimin fizik dhe kimik të ndotësve dhe fenomene të tjera të tilla si: formimi reve dhe reshjeve, çrregullimet apo shkarkesat elektrike ose rrezatimi diellor;
  • Studiojnë të dhënat e mbledhura nga stacionet meteorologjike, radarët dhe pamjet satelitore dhe të dhëna të tjera kompjuterike për të parashikuar kushtet e motit;
  • Kryejnë përgatitjen dhe raportimin afatshkurtër dhe afatgjatë të hartave të motit mbi parashikimet dhe paralajmërimet që lidhen me fenomene atmosferike të tilla si: ciklonet, stuhitë dhe rreziqe të tjera për jetën dhe pronën;
  • Shpërndajnë informacionin në lidhje me kushtet atmosferike nëpërmjet medias duke përfshirë radion, televizionin, shtypin dhe internetin;
  • Eksperimentojnë, me programe të ndryshme të modifikimit të motit, fenomene të tilla si: shpërndarja e mjegullës, rritjen e aftësisë së reve për të prodhuar reshje, shtimi apo formimi i reshjeve dhe në lloje të tjera programesh të modifikimit të motit;
  • Kryejnë zhvillimin dhe testimin e modeleve matematikore kompjuterike të motit dhe klimës për përdorim eksperimental ose operativ;
  • Marrin pjesë në studimet e efektit të motit në mjedis;
  • Analizojnë ndikimin e projekteve industriale dhe veprimtarisë njerëzore në klimën dhe cilësinë e ajrit;
  • Punojnë me komunitete të shkencave sociale, inxhinierisë dhe ekonomisë për të zhvilluar strategji të përshtatshme për zvogëlimin e ndikimit të projekteve industriale dhe veprimtarisë njerëzore në klimën dhe cilësinë e ajrit;
  • Angazhohen në hartimin dhe zhvillimin e pajisjeve të reja dhe procedurave për mbledhjen e të dhënave meteorologjike, observimin në distancë (satelitë) ose pajisje të tjera për përdorime të ngjashme;
  • Kryejnë kërkime për përmirësimin apo zhvillimin e koncepteve, teorive dhe metodave operative lidhur me përbërjen, strukturën dhe dinamikën e atmosferës;
  • Përgatitin artikuj shkencorë, raporte dhe statistika të ndryshme mbi rezultatet e kërkimeve;
  • Përgatitin harta të parashikimeve afat-shkurtër dhe afatgjata të motit, që përdoren në aviacion, flotë detare, bujqësi dhe fusha të tjera, si dhe për informimin e opinionit publik;
  • Kryejnë arkivimin, kopjimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, në formatin fizik dhe elektronik;
  • Komunikojnë me profesionalizëm me eprorë, kolegë dhe të tjerë;
  • Mbikëqyrin punën e punëtorëve mbështetës dhe personelit tjetër të zyrës;
  • Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
  • Zbatojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Kërkohet të ketë diplomë universitare
  • Të ketë aftësi analitike dhe sintetizuese

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si asistent. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin meteorologut. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm me studime të thelluara apo trajnimit nëpërmjet punës, një meteorolog mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse në fushën e meteorologjisë.

Kualifikimet pasuniversitare përbëjnë avantazh në punësim dhe zhvillim karriere.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: inxhinier meteorolog për parashikimin e motit, klimatolog, meteorolog, parashikues moti, hidrometeorolog.

Profesionet në këtë grup

  • Inxhinier meteorolog/parashikues moti
  • Klimatolog
  • Meteorolog
  • Hidrometeorolog

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye