1411Drejtues në hotele
Grup njësi · 4 profesione
Përshkrimi
Drejtuesit e hoteleve drejtojnë, planifikojnë, koordinojnë, vlerësojnë, mbikëqyrin dhe mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e punës në hotele, motele dhe organizime të ngjashme, në përputhje me politikat e organizatës dhe ligjet në fuqi. Intervistojnë, punësojnë, trajnojnë dhe drejtojnë punën e punonjësve, adresojnë ankesat dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet hoteli me qëllim shërbimin sa më cilësor ndaj klientit.
Detyrat kryesore
- Vendosin, përpilojnë dhe zbatojnë rregullat e mikpritjes dhe shërbimit cilësor ndaj klientit;
- Monitorojnë kryesisht performacën e personelit në recepsion dhe mirëpresin vetë klientët, zgjidhin direkt problemet dhe kërkesat e tyre për akomodim;
- Mbikëqyrin performancën e hotelit në platformat online OTA (rezervimet dhe komentet e klientëve në Booking.com, Trip Advisor, Expedia, Hotels.com, HRS) etj.;
- Monitorojnë përditësimin e çmimeve, ofertave të ndryshme të hotelit në platformat OTA (booking.com, Expedia etj.);
- Garantojnë një pamje sa më dinjitoze të hotelit online, ideojnë dhe monitorojnë faqen web-i të hotelit, ku detajohen dhomat, çmimet, mjediset e jashtme dhe të brendshme, facilitete të tjera, bari, restoranti, pishina, kopshtet etj.;
- Kryejnë detyra në të gjitha aspektet e operacioneve të hotelit kurdo që nevojiten;
- Inspektojnë dhe udhëheqin riparimet dhe pastërtinë e pronës për të siguruar mirëmbajtjen optimale, pastërtinë në mjediset brenda dhe pamjen e përgjithshme të pronës;
- Përgatitin buxhetin e Hotelit, maksimizojnë të ardhurat për të përmbushur apo tejkaluar buxhetin dhe bëjnë parashikimet për të ardhmen;
- Mbikëqyrin të gjitha llogaritë financiare;
- Monitorojnë mbledhjen e pagesave ndaj klientëve dhe arkëtimet e drejtpërdrejta të faturave, pagesave të komisionit, etj., në mënyre ditore;
- Marrin pjesë dhe monitorojnë inventarët mujore;
- Sigurojnë që blerjet e bëra janë brenda buxhetit dhe të miratuara;
- Punojnë me personelin për të menaxhuar të gjitha aktivitetet e shitjes së hotelit dhe për të përmbushur objektivat e të ardhurave;
- Ushtrojnë komunikime të drejtpërdrejta shitjeje ndaj klientëve qofshin këta individë apo korporata;
- Identifikojnë dhe kërkojnë për biznes potencial në tregun vendor apo atë global;
- Koordinojnë dhe zbatojnë shitjet dhe aktivitetet e marketingut të organizatës;
- Promovojnë arritjen 100% të kënaqësisë së klientëve në gjithë hotelin;
- Sigurojnë që të gjitha çështjet e lidhura me klientët janë zgjidhur në mënyrë konsistente në përputhje me qëllimet dhe objektivat e kompanisë;
- Rekrutojnë punonjës të kualifikuar;
- Trajnojnë punonjësit në përputhje me standardet e kompanisë;
- Komunikojnë të gjitha politikat dhe procedurat për të gjithë personelin;
- Ndjekin me vëmendje zhvillimet në legjislacionin e punësimit, kombëtare apo lokale lidhur me ligjet dhe rregulloret;
- Ofrojnë informacion për turizmin lokal, dhe koordinojnë ture dhe transportin.
- Menaxhojnë dokumentacionet e personelit punonjës, duke përfshirë punësimin, vlerësimet e performancës, listën e pagave dhe përfitimet e tjera;
- Përfaqësojnë organizatën në takime ku diskutohet për turizmin, hotelerinë, kulinarinë etj.
Kërkesat
- Preferohet arsim i lartë apo i mesëm kryesisht në ekonomi, manaxhim, marketing, hoteleri,turizëm etj.
- Aftësi komunikimi profesional me klientët, bashkëpunëtorët, mbikëqyrësit etj.;
- Të ketë aftësi për të vepruar.
Informacion shtesë
Një individ përpara se të jetë bërë drejtues hoteli mund të ketë punuar si fillim si asistent, si recepsionist, si manaxher marketingu etj. Gjithashtu, ai/ajo mund të hapë vetë një aktivitet të tillë pa pasur kualifikime apo diplomën përkatëse. Me kualifikime dhe arsim profesionale kryesisht në manaxhim, hoteleri apo turizëm, mund të arrijë të bëhet drejtues hoteli dhe të menaxhojë një personel të caktuar. Një drejtues hoteli mund të punojë dhe në pozicione të tjera manaxhimi të tilla, si:manaxher i burimeve njerëzore, drejtues në prodhim, manaxher marketingu dhe reklamimi, drejtues shitjesh, drejtues i marrëdhënieve me publikun etj.
Operatorët nënjësi të vogla, të tilla si njësitë Bed&Breakfast (B&B), shtëpitë e vogla pritëse dhe ekonomitë familjare që ofrojnë strehim dhe shërbime të kufizuara të ushqimit për klientët, për të cilat manaxhimi dhe mbikëqyrja e personelit nuk është një komponent i rëndësishëm i punës, klasifikohen në grupin njësi 5152 “Punonjës shërbimesh në shtëpi pritëse”.
Profesionet në këtë grup
- Manaxher hoteli
- Manaxher moteli
- Manaxher hoteli për të rinjtë
- Drejtor konvikti

