1222Drejtues të marrëdhënieve me publikun dhe reklamave

Grup njësi · 3 profesione

Përshkrimi

Drejtuesit e marrëdhënieve me publikun dhe reklamave planifikojnë, zhvillojnë, drejtojnë, zbatojnë dhe vlerësojnë strategji komunikimi dhe strategji fushatash reklamimi, të cilat synojnë njohjen, rritjen e imazhit dhe promovimin e organizatës, të produkteve apo shërbimeve të tyre në komunitet. Drejtuesit e marrëdhënieve me publikun dhe reklamave studiojnë dhe identifikojnë nevojat e tregut, por dhe konkurrentët duke sugjeruar dhe zhvilluar mundësi të reja promovimi dhe reklamimi të produkteve apo shërbimeve të reja për organizatën private apo publike ku punojnë.

Detyrat kryesore

  • Kryejnë studime tregu, analizojnë të dhënat dhe planifikojnë fusha të reklamimit dhe aktivitete të marrëdhënieve me publikun;
  • Përgatitin objektiva, politika dhe programe marketing që synojnë rritjen e biznesit të organizatës;
  • Hartojnë dhe zhvillojnë strategji komunikimi PR dhe marketing për organizatat apo institucionet publike për të përmirësuar perceptimin publik të kompanisë;
  • Planifikojnë dhe organizojnë fushata publicitare dhe marketingu;
  • Monitorojnë çdo ditë shkrimet, artikujt, foto dhe çdo material tjetër që publikohet në media lidhur me organizatën ku ata punojnë;
  • Marrin informacion të detajuar për organizatën, njësitë, degët, punonjësit, produktet në mënyrë që të planifikojnë mundësitë për marketingun dhe promovimin e imazhit të kompanisë;
  • Analizojnë rezultatet e fushatave publicitare dhe shndërrimin e çdo fushate në fitim;
  • Këshillojnë shefat ekzekutivë për ndikimin e politikave të tyre në marrëdhëniet me publikun;
  • Reagojnë dhe informojnë publikun për zhvillimet, ndryshimet, produktet e reja të organizatës;
  • Organizojnë seminare, konferenca, konkurse dhe aktivitete sociale për të promovuar qëndrimin pozitiv të organizatës ndaj komunitetit dhe për të rritur publicitetin;
  • Organizojnë konferenca për shtyp, intervista në media me përfaqësues të organizatës ose përfaqësojnë vetë organizatën në media;
  • Ndjekin gjithë aktivitetet e organizatës për t’i promovuar ato në media;
  • Njoftojnë gazetarët për veprimtaritë e kompanisë, bëjnë foto, shkruajnë artikuj, publikojnë materiale në website dhe kanalet e tjera sociale të komunikimit;
  • Përzgjedhin artikujt pozitiv në media dhe i rishpërndajnë ose i ripublikojnë për të shtuar publicitetin në favor të kompanisë;
  • Shkruajnë tekstin ose skenarin për një reklamë në gazetë apo video, mbikëqyrin përgatitjen e tyre, negociojnë çmimet dhe termat e publikimit me televizion dhe mediat e tjera;
  • Menaxhojnë departamentin e marrëdhënieve me publikun dhe atë të marketingut në organizatë;
  • Rekrutojnë punonjësit dhe trajnojnë specialistët e personelit;
  • Përgatitin fjalimet për drejtuesit ekzekutivë;
  • Identifikojnë klientët e mundshëm për produktet apo shërbimet e organizatës;
  • Zhvillojnë dhe mirëmbajnë logot apo imazhin e korporatës apo organizatës;
  • Përpilojnë politika dhe procedura lidhur me programet e marrëdhënieve me publikun dhe marketingun;
  • Menaxhojnë emrin e mirë të organizatës në marrëdhënie me publikun dhe klientët;
  • Përdorin teknologjinë më të avancuar të komunikimit, offline dhe online, ideojnë faqe website të organizatës, përditësojnë çdo ditë informacionin në to dhe në kanalet e tjera të komunikimit;
  • Menaxhojnë buxhetin e komunikimit dhe marketingut të organizatës;
  • Informojnë gjithë personelin e organizatës lidhur me politikat e komunikimit dhe marketingut apo për çdo aktivitet të kompanisë;
  • Përgatitin çdo material promovues për një produkt të ri;
  • Rritin aftësitë e tyre përmes kualifikimeve dhe trajnimeve tëvazhdueshme.

Kërkesat

  • Preferohet arsimi i lartë ose kualifikim profesional në shkencat e komunikimit, marrëdhënieve me publikun, gazetari, marketing etj.;
  • Të kenë aftësi komunikimi dhe negocimi;
  • Të kenë aftësi për të vepruar.

Informacion shtesë

Një individ mund të nisë karrierën në këtë profesion si specialist i marrëdhënieve me publikun dhe reklamat ose mund të jetë punësuar si gazetar, specialist për shërbimet ndaj klientit, specialist marketing etj. Falë kualifikimeve apo edhe eksperiencës në punë mund të punësohet si drejtues i marrëdhënieve me publikun dhe reklamave.

Drejtuesi i marrëdhënieve me publikun dhe reklamat mund të punojë në organizata biznesi, në institucione shtetërore ose mund të drejtojë kompani që ofrojnë pikërisht shërbimin e marrëdhënieve me publikun dhe marketingun.

Profesionet në këtë grup

  • Drejtor i informacionit në shërbime të marrëdhënieve publike
  • Drejtor i shërbimit për publicitet/reklama
  • Drejtor i shërbimit të marrëdhënieve publike (PR)

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye