8344Drejtues të makinave ngritëse

Grup njësi · 2 profesione

Përshkrimi

Drejtuesi i makinave ngritëse drejton, monitoron dhe punon me vinça, makina ngritëse të stacionuara (të palëvizshme) me krahë lëvizës, makina të ngjashme dhe pajisje të tjera ngritëse për të ngarkuar, për të shkarkuar, për të hequr, për të lëvizur, apo vendosur në vendet e duhura makineri, pajisje, palete mallrash të ndryshme dhe objekte të tjera të mëdha në ndërtim apo fusha industriale, porte, sheshe, oborre hekurudhore, miniera sipërfaqësore dhe vende të tjera të ngjashme. Ai drejton dhe monitoron teleferik. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh të ndryshme, shërbimesh transporti, në porte miniera, në kompanitë hekurudhore, në kompani ndërtim, vende të tjera të trajtimit të ngarkesave, apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Kryejnë kontrollin e përgjithshëm të mjetit, sinjalet, dritat dhe sistemin e drejtimit para fillimit të punës;
  • Sigurohen që janë vendosur shenjat dalluese të vendit ku do të punohet (rrethohet me shirit dallues);
  • Komunikojnë dhe marrin komanda vetëm nga personi i autorizuar për këtë punë (me radio ose me sinjale të paracaktuara);
  • Drejtojnë dhe monitorojnë vinça lëvizës, apo makina ngritëse të stacionuara (të palëvizshme) me krahë lëvizës;
  • Kryejnë inspektime para-fillimit të punës për të llogaritur kapacitetet ngritëse të vinçit dhe peshën për t'u përgatitur për manipulim;
  • Drejtojnë dhe operojnë me vinça-urë për të ngarkuar dhe shkarkuar anije mallrash në port;
  • Drejtojnë dhe operojnë vinça lokomotivë për të lëvizur objekte dhe materiale në platforma hekurudhore;
  • Drejtojnë dhe operojnë vinça në miniera apo në vendet e depozitimit të hapur të mineraleve dhe qymyrit;
  • Drejtojnë dhe monitorojnë teleferikun dhe pajisje të ngjashme;
  • Drejtojnë dhe monitorojnë makineri që përdoren për tërheqjen e anijeve apo barkave me mallra, udhëtarë dhe automjetet;
  • Drejtojnë dhe monitorojnë vinça urë për të hequr, për të lëvizur dhe vendosur në vendet e përcaktuara makineri industriale dhe materiale të tjera në fabrika apo uzina;
  • Kujdesen për transport të sigurt të mallrave duke i siguruar, lidhur ato gjatë ngarkimit, shkarkimit apo lëvizjeve të ndryshme;
  • Vlerësojnë peshën në përputhje me kufizimet e ngarkesës duke siguruar shpërndarjen e duhur të peshave dhe ekuilibrin e tyre gjatë lëvizjes;
  • Zbatojnë rregullat teknike gjatë përdorimit të vinçave si p.sh diagramin e vinçit (kombinimi i ngarkesës në funksion të rrezes);
  • Kryejnë punime të mirëmbajtjes periodike, të tilla si pastrim dhe lubrifikim të vinçit.
  • Pastrojnë dhe mirëmbajnë mjetin e punës dhe e lënë atë në gjendje të gatshme për punë;
  • Realizojnë detyra të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Të jetë e/i pajisur me lejen e posaçme të drejtimit /manovrimit të mjetit.
  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një drejtues i makinave ngritëse mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel mbikëqyrësi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier mekanik.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e transportit duhet leje drejtimi për mjetin përkatës dhe regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: drejtues të makinave zjarrfikëse, drejtues të makinave të betonit, drejtues të makinave frigoriferike, drejtues të makinave të shtrimit të rrugëve, të makinave të pastrimit të dëborës, të makinave frigoriferike etj.

Profesionet në këtë grup

  • Drejtues të makinave të rënda me ngritëse
  • Operator i makinave pirun

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye