8153Punëtorë të makinave qepëse
Grup njësi · 11 profesione
Përshkrimi
Punëtori i makinave qepëse kryen qepje dhe riparime të materialeve tekstile, lesh, veshje sintetike apo lëkure, si dhe qëndisje dhe zbukurime mbi rrobat apo materiale të tjera. Ai punon me makina të ndryshme një, dy apo më shumë gjilpërëshe, me makina për vendosje pullash apo aksesorësh, si dhe makina për bërje brimash dhe qepjesh rreth tyre. Punëtori i makinave qepëse përzgjedh e vendos fijen dhe gjilpërën e duhur, në varësi të materialit.
Ai mund të punësohet në kompani të shërbimeve të konfeksioneve apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Veshin uniformën dhe parapërgatitin vendin e punës;
- Bëjnë kontrollin e makinës së punës;
- Përgatitin dhe ndezin makinën e punës;
- Bëjnë përgatitjen apo programimin e makinës për qepje, në varësi të materialit që do të qepë;
- Përzgjedhin fije të duhura dhe i vendosin në makinën qepëse;
- Vendosin gjilpërën e duhur në varësi të materialit;
- Kryejnë procese të ndryshme qepje në makina përkatëse (një, dy apo më shumë gjilpërëshe);
- Kryejnë ndërrimin e gjilpërave, kur është e nevojshme, sipas modelit të qepjes së kërkuar;
- Kryejnë ndërrimin e fijeve, kur është e nevojshme, sipas modelit të qepjes së kërkuar;
- Bashkojnë me qepje pjesë të veshjeve apo konfeksioneve të tjera;
- Vendosin pulla (kopsa), zinxhir apo pjesë të tjera, të nevojshme, në materialet tekstil, sipas modeleve të dhëna me makinat përkatëse;
- Vendosin aksesore të ndryshëm me makineritë përkatëse;
- Kontrollojnë herë pas here makinën dhe proceset e qepjes;
- Përdorin dhe monitorojnë makina qepëse gjysmë automatike për procese të ndryshme qepjeje;
- Kryejnë qepje të materialeve të leshit me makinat përkatëse të qepjes;
- Kryejnë qepje të materialeve të lëkurës apo materialeve sintetike (veshje lëkure, dorashka) me makina qepjeje përkatëse;
- Bashkëpunojnë me mekanikun për probleme të dala gjatë procesit të punës;
- Mbikëqyrin punëtorë të tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor i makinave qepëse mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel kontrollorit të cilësisë, përgjegjësit të prodhimit, manaxher. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit të tekstileve.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Punëtor të makinave qepëse të gëzofit, të lëkurës, të prodhimeve tekstile, qëndisëse, të tapicerive
Profesionet në këtë grup
- Punëtor të makinave qepëse
- Punëtor të makinave qepëse/gëzofi
- Punëtor të makinave qepëse/kapelash
- Punëtor të makinave qepëse/lëkurash
- Punëtor të makinave qepëse/prodhim tekstile
- Punëtor të makinave qepëse/qëndisëse
- Punëtor të makinave qepëse/tapiceri
- Punëtor të makinave qepëse/veshjesh
- Punëtor të makinave qepëse/xhakard
- Punëtor të makinave qepëse/çorapesh
- Punëtor të makinave qepëse/endës tapeti

