8111Minatorë dhe punonjës të gurores
Grup njësi · 17 profesione
Përshkrimi
Minatori dhe punëtori i gurores merret me shpimin e birave për hapjen e punimeve minerare dhe të rrëzimit të mineralit, kontrollin e galerisë për kushte të sigurta pune duke punuar i organizuar në grup dhe duke përdorur pajime mbrojtëse personale në vendin e punës. Ai përdor makineri dhe pajisje të thjeshta dore duke zbatuar rreptësisht rregullat e sigurimit teknik. Ai mund të punësohet në kompani minerare (në nëntokë dhe sipërfaqe) në pozicione pune të tilla si: minator dhe armator në punime minerare, në rrëzimin e mineralit, si dhe në transportimin e tij nga galeria në ambientin e grumbullimit të prodhimit.
Detyrat kryesore
- Respektojnë rregullat e sigurimit teknik;
- Respektojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
- Sigurojnë matjen e gazrave të djegshëm dhe helmues para fillimit të punës;
- Sigurojnë përdorimin e pajimeve të mbrojtëse personale në vendin e punës;
- Kryejnë kontrollin e galerisë në të gjithë gjatësinë e saj, për të mundësuar fillimin e punës në kushte të sigurta;
- Largojnë punëtorët nga fronti i punës për çdo moment që paraqet rrezik për vazhdimin e proceseve të punës;
- Bëjnë kontrollin vizual për gjendjen teknike të frontit të punës;
- Punojnë duke u organizuar në grup sipas urdhrit të punës;
- Zbatojnë pasaportën teknike të shpim-plasjes për hapjen e punimit dhe të rrëzimit të mineralit gjatë proceseve të punës;
- Kryejnë kontrollin e vijës së rrëzimit, me shumë kujdes, si dhe kontrollin e armaturave në të gjithë punimin ku kryhet rrëzimi i mineralit;
- Mbajnë dhe plotësojnë rregullisht librin e kontrollit të galerisë;
- Përdorin çekiçin shpues gjatë procesit të shpimit në minierë;
- Përdorin kompletin e barominave gjatë procesit të punës në rrëzimin e mineralit dhe avancimin e punimit minerar;
- Sigurohen për furnizimin me pajisjet e nevojshme të punës, si baromina, leva e kontrollit, sëpata, sqepari, sharra e armatorit etj;
- Kryejnë transportin e bazës materiale të nevojshme për punë;
- Përgatitin, mbështetësit e përshtatshëm dhe instalimin e tyre, në punimet nëntokësore, duke përfshirë dhe vendosjen e bulonave në shkëmbinj;
- Kryejnë armatimet në të gjitha punimet minerare, sipas urdhrit të punës;
- Kryejnë pastrimin, mirëmbajtjen, lubrifikimin dhe riparime të thjeshta të veglave e pajisjeve të punës;
- Përdorin makineri dhe pajisje të thjeshta dore për punime prerje dhe kanalizimi në minierë apo gurore;
- Montojnë dhe përdorin pajisje shpimi në minierat nëntokësore, sipërfaqësore apo në gurore;
- Përdorin mjete për të hequr apo lëvizur shkëmbinj mineral, të qymyrit dhe depozita të tjera;
- Përdorin makineri për hapje kanalesh, rrugësh, ajrosje apo daljesh nga miniera;
- Përdorin pajisje ndihmëse të tilla si: pompa uji apo balte, sisteme ajrosjeje ventilimi etj;
- Mbledhin mostra minerale për analiza laboratorike.
- Mbikëqyrin punonjësit në grupin e tyre të punës.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i arsimit të detyruar.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar, minator-armator. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një minator mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në përgjegjës turni në një njësi shërbimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier miniere.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: copëtues guri në gurore, në minierë, gurëthyes në minierë, heqës shtyllash në miniere, makinist prerje apo shpimi në minierë, gurore, punëtor armature, marrës mostrash minerale për analiza laboratorike etj.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë, duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Copëtues guri në gurore, në minierë
- Makinist hapës kanalesh /ekskavatorist
- Makinist për punime të vazhdueshme minerare
- Makinist punimesh në sipërfaqe në minierë
- Makinist punimesh në nëntokë në minierë
- Makinist shpim në gurore
- Sondist në minierë
- Sondist në nëntokë në minierë
- Marrës kampionesh në gurore
- Minator në sipërfaqe
- Minator në karier
- Minator në nëntokë
- Seleksionues në sipërfaqe
- Seleksionues në nëntokë
- Punëtor armature druri në gurore
- Punëtor armature në minierë
- Punëtor armature në nëntokë

