7232Montues, riparues të avionëve dhe lokomotivave

Grup njësi · 16 profesione

Përshkrimi

Montuesi dhe riparuesi i avionëve dhe lokomotivave, kontrollon, monton, riparon dhe i bën shërbime motorëve dhe trupit të avionëve dhe lokomotivave. Këto kontrolle dhe shërbime bëhen sipas teknologjive të riparimit për sistemet hidraulike dhe pneumatike, për pjesët e lëvizshme mekanike, lidhjet elektrike, sistemin e ajrimit, sistemin e frenimit, sistemin e hermetizimit, etj.

Detyrat kryesore

  • Inspektojnë për ndonjë defekt, krisje, apo rrjedhje fluide, etj. në avionë apo në lokomotiva;
  • Kontrollojnë avionë dhe lokomotiva për të identifikuar elementë që mund të funksionojnë jo mirë apo keq;
  • Rregullojnë, drejtojnë dhe kalibrojnë pjesë të avionëve dhe lokomotivave duke përdorur vegla dore pune, aparate matëse, etj.;
  • Informojnë për pjesët e riparuara tek drejtuesi dhe përgjegjësi i mekanikës;
  • Përdorin, ruajnë dhe magazinojnë në mënyrë të sigurt dhe të duhur, mjetet dhe pajisjet e marra në dorëzim nga kompania;
  • Çmontojnë, montojnë, kontrollojnë me sy dhe me aparatura dhe bëjnë shërbime për motorët e avionëve dhe lokomotivave sipas instruksioneve;
  • Zëvendësojnë pjesë të motorit ose të gjithë motorin kur është e nevojshme;
  • Bëjnë kontroll të detajuar dhe inspektojnë pjesët përbërëse të avionit dhe të lokomotivës, të trupit të avionit duke përfshirë edhe sistemin e uljes, sistemin hidraulik si edhe sistemin kundra ngrirjes, sipas teknologjisë së riparimit;
  • Mirëmbajnë, riparojnë, modifikojnë dhe testojnë sistemet strukturore, mekanike dhe hidraulike të avionëve dhe lokomotivave;
  • Mirëmbajnë dhe riparojnë grupe pajisjesh funksionale apo pjesë të tilla si krahët, trupin e avionit, mekanizmin e lëshimit dhe mbledhjes së kavos, njësitë hidraulike, sistemet e oksigjenimit, sistemet e furnizimit me karburant, sistemet elektrike, rondelet dhe pjesët e mbylljes dhe përputhjes së plotë;
  • Kontrollojnë punën pasi ka përfunduar, për të certifikuar se mirëmbajtja e kryer përmbush standardet teknologjike të avionëve apo lokomotivave;
  • Montojnë dhe kontrollojnë avionët dhe lokomotivat për komponentët e tyre elektrikë edhe elektronikë;
  • Lexojnë dhe përkthejnë manualë, buletine për shërbimet profilaktike dhe për metodat e riparimit apo të zëvendësimit të pjesëve;
  • Montojnë tek panelet përkatëse pajisje të tilla si radiot, magnetofonët, shndërruesit e rrymës si edhe sistemet e furnizimit të avionit apo lokomotivës me karburant;
  • Mbajnë shënime me përshkrime të hollësishme të riparimit të kryer në avion apo lokomotivë, duke dokumentuar elementët e punës së parashikuar në preventivin përkatës duke e krahasuar atë punën e kryer në fakt;
  • Kryejnë punimet në pajtueshmëri me rregulloret mjedisore, shëndetësore dhe ato të sigurisë;
  • Kujdesen për të mbajtur vendin e punës me rregull e pastërti;
  • Kryejnë pastrimin rutinë të brendshëm dhe të jashtëm të avionëve dhe lokomotivave;
  • Zbatojnë rregullat në mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik gjatë punës.

Kërkesat

  • Kërkohet përfundimi i një shkolle të mesme profesionale elektromekanike dhe/apo një kurs formimi profesional të specializuar në elektromekanikë pas mbarimit të shkollës së mesme të përgjithshme;
  • Preferohet të ketë vite pune eksperiencë si mirëmbajtës i mjeteve të transportit ajror apo hekurudhor;
  • Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe i orientuar drejt punës në ekip;
  • Të ketë njohuri të plota për llojet e avionëve dhe lokomotivave;
  • Të ketë aftësi të lartë të njohjes së fushës së elektro-mekanikës;
  • Të ketë njohuri të larta për detaje të imta të punës;
  • Të ketë aftësi për të lexuar, shkruar dhe komunikuar shumë mirë;
  • Të jetë e/i aftë të japë zgjidhje problemeve që dalin;
  • Të jetë e/i fortë fizikisht dhe i aftë mendërisht, me zotësi të plotë për të punuar.

Informacion shtesë

Kërkesa për punësim si montues dhe riparues të avionëve dhe lokomotivave përgjithësisht shpallet nga kompani të mëdha të riparimit të mirëmbajtjes së avionëve dhe lokomotivave.

Pas mbarimit të shkollës mund të fillohet punë si ndihmës elektro-mekanik.

Punonjësit në këtë profesion mund dhe duhet të jenë të specializuar në dy fusha kryesore:

a-montues dhe riparues i motorëve

b-montues dhe riparues i pjesëve të tjera strukturore

Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit mekanik apo të inxhinierit elektrik apo me një specializim të mëtejshëm në atë të inxhinierit elektro-mekanik.

Eksperienca e mëtejshme mundëson ecuri në karrierë si përgjegjës i grupit

Iniciativa për të hapur veprimtari private kryhet duke përmbushur kërkesat e kuadrit ligjor në fuqi.

Profesionet në këtë grup

  • Mekanik avionësh
  • Mekanik në hekurudhë
  • Montues motorësh avioni
  • Riparues për motorë avionësh
  • Riparues të lokomotivave
  • Mekanik kontrollor për trenat e udhëtarëve e të mallrave
  • Mekanik për riparimin e vagonëve të mallrave
  • Mekanik për riparimin e vagonëve të udhëtarëve
  • Teknik mirëmbajtje avionëve
  • Teknik mirëmbajtje motorë avionësh
  • Teknik mbikëqyrës mirëmbajtje avionëve
  • Restaurues avionësh
  • Teknik shërbimit avionësh
  • Mekanik helikopter
  • Mekanik i sistemit hidraulik në avion
  • Mekanik i sistemit elektrik në avion

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye