6222Punonjës peshkimi në bregdet, lumenj dhe liqene

Grup njësi · 10 profesione

Përshkrimi

Punonjësi i peshkimit në bregdet, lumenj dhe liqene, si anëtarë të ekuipazheve anijeve të peshkimit ose individualisht, merret me kapjen apo mbledhjen e peshkut dhe gjallesave të tjera ujore në brendësi të tokës, lumenj dhe liqene ose në ujërat bregdetare duke përdorur rrjeta, grepa dhe pajisje të tjera të veçanta për këtë lloj peshkimi. Ai gjithashtu merret me seleksionimin, ruajtjen në kushtet teknike të duhura, ambalazhimin, shitjen, shpërndarjen dhe marketingun e produkteve të mbledhura. Ai mund të punësohet në kompani të shërbimeve të ndryshme të peshkimit apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Kontrollojnë gatishmërinë teknike të anijes, dokumentacionin ligjor të detyrueshëm, sigurimin e prognozës së motit;
  • Kryejnë furnizimin e anijes me arka, karburant, akull, ushqim dhe pajisjet e tjera të domosdoshme për peshkim;
  • Konsultohen me kolegët për paracaktimin e zonës së peshkimit dhe kushteve të tjera të duhura;
  • Ndezin motorët dhe bëjnë kontrollet e parametrave të tyre;
  • Drejtojnë anijet dhe monitorojnë instrumentet dhe mjetet elektronike të lundrimit e peshkimit;
  • Lundrojnë drejt thellësive të paracaktuara;
  • Përdorin busulla apo pajisje të tjera elektronike të domosdoshme për lundrim;
  • Kur arrin në vendin e paracaktuar të gjuetisë ulin shpejtësinë e anijes dhe fillojnë hedhjen e rrjetës në det duke zbatuar të gjitha udhëzimet dhe rregullat përkatëse; (Në kreun e rrjetës është vendosur një spirance e cila hidhet e para, me lëvizje të ngadalta të anijes ata hedhin gradualisht rrjetën në ujë në gjatësi 200-300 m, në pjesën e poshtme, përgjatë rrjetës montohen pesha prej plumbi për ta tërhequr rrjetën drejtë thellësisë, në pjesën e sipërme të rrjetës janë montuar tapa lundruese të cilët orientojnë për të formuar shtrirje vertikale);
  • Hedhin linja prej fildispanje në të cilën janë montuar grepat me ushqim, karrem (kjo linjë ndërtohet në një gjatësi rreth 1000-1500 m me fije rreth 1.5-2 m larg njëra tjetrës ku montohen grepa);
  • Mbas mbarimit të këtij procesi, kthejnë anijen në një pikë strehimi të përshtatshme;
  • Në orët e para të mëngjesit, fillojnë procesin e ngritjes dhe mbledhjes së rrjetës me peshk, me ngritjen e spirancës së kreut me krah ose me pajisje “vinç” të anijes e të orientuar nga peshkatari dhe motoristi;
  • Nxjerrin peshkun apo gjallesat e tjera ujore nga rrjeta dhe e vendosin në arka sipas llojit dhe cilësisë së tyre;
  • Trajtojnë peshkun apo gjallesat e tjera ujore të kapura, me akull ose i vendosin në frigorifer për të ruajtur freskinë e tyre;
  • Bëjnë tregtimin e peshkut apo të gjallesave të tjera ujore të freskëta ose magazinimin e tij në kushtet e duhura frigoriferike;
  • Sigurojnë gatishmërinë e anijes për lundrimin e radhës;
  • Kryejnë riparime të mundshme të rrjetës së dëmtuar;
  • Kryejnë riparime në motorë apo riparime të tjera në se duhen;
  • Kryejnë furnizimet me karburant, arka, akull, ushqime, për gjuetinë e radhës;
  • Kryejnë zhytje për kapje apo peshkim me pajisje të tjera të veçanta;
  • Realizojnë detyra të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punonjës peshkimi në bregdet, lumenj dhe liqene mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në fushën përkatëse

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: hedhës rrjetash me varkë, peshkatar bregdeti, peshkatar i ujërave të ëmbla, zhytës për guaska etj.

Profesionet në këtë grup

  • Hedhës rrjetash mrexhash me varkë.
  • Kapës sfungjeri
  • Peshkatar bregdeti
  • Peshkatar i ujërave të ëmbla
  • Punonjës peshkimi i kualifikuar për bregdet
  • Hedhës grepash me varkë
  • Zhytës për guaska
  • Zhytës për perla
  • Zhytës për sfungjerë deti
  • Peshkatar i kualifikuar

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye