6221Kultivues të gjallesave ujore

Grup njësi · 6 profesione

Përshkrimi

Kultivuesi i gjallesave ujore merret me kultivimin e peshqve, guacave, midhjeve dhe formave të tjera të gjallesave ujore, me shitjen ose shpërndarjen e produkteve në baza të rregullta për blerësit me shumicë dhe pakicë, duke organizuar dhe marketing për prodhimet e veta. Ai mund të punësohet në kompani të prodhimit të gjallesave ujore, të shërbimeve të ndryshme apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Sigurojnë koshat lundrues me një teknologji ndërtimi dhe montimi të veçantë sipas kushteve të mjedisit ujor;
  • Blejnë peshqit rasat nga stacione prodhimi të rasatit të licencuara për këtë aktivitet duke i ruajtur në kushte dhe makina teknologjike të posaçme që sigurojnë mbijetesën e tyre;
  • Sigurojnë bazën ushqimore të nevojshme që përmbush të gjitha standardet CE të Komunitetit Evropian për higjienën dhe sigurinë ushqimore;
  • Montojnë koshat në ujë, në një largësi nga bregu deri në 30-35m thellësi;
  • Hedhin rasatin 3-5 g. nëpër kosha duke përdorur pajisje të veçanta;
  • Pas disa muajsh kur rasati ka arritur peshën deri në 50-60 gramë, që përkon me kohën e para rritjes, bëjnë kalimin e rasateve në kosha më të mëdhenj;
  • Monitorojnë koshat deri në rritjen përfundimtare me peshë 300-350;
  • Bëjnë vjeljen e peshkut, pas 14 muajsh, kur ka arritur peshën e plotë sipas kërkesës së tregut të siguruar të standardeve të CE (peshku duhet të ngordhë në akull e të transportohet në kushte që të ruajë freskinë, temperaturën për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e klientit);
  • Kryejnë aktivitete të përditshme të shërbimit të koshave;
  • Ushqejnë kocën, levrekut apo gjallesat e tjera ujore me një kombinim përbërësish të ndryshëm proteinash, yndyrnash, karbohidratesh etj., me prejardhje kryesisht nga mielli i peshkut, vaji i peshkut dhe përbërës të tjerë bimore që bëjnë të mundur rritjen normale të një peshku të shijshëm e të shëndetshëm;
  • Transportojnë ushqimin me dorë ose në mënyrë automatike apo gjysmë automatike dhe e shpërndajnë atë sipas një programi ditor dhe skemës së vendosur pranë koshave;
  • Kontrollojnë temperaturën e ujit pasi ka një ndikim themelor në rritjen e biomasës së peshkut dhe marrin masat përkatëse: (kur temperatura është nën 12 grade dhe mbi 27 gradë, konsumi i ushqimit minimizohet, po ashtu minimizohet edhe rritja e vetë peshqve);
  • Kontrollojnë dendësinë e peshqve në kosha (që shprehet në kg/m³ biomasë dhe shifra më e mirë është 12-15 kg/m³) dhe sipas rastit bëjnë rrallimin e tyre;
  • Kontrollojnë cilësinë dhe pastërtinë e mjedisit ujor, korenteve ujore;
  • Kryejnë veprimet e nevojshme duke seleksionuar e larguar peshqit e ngordhur;
  • Mbikëqyrin rritjen e peshkut apo gjallesave të tjera ujore, ndjekin programimin ditor të ushqimit bazuar në peshën e peshkut në kosha dhe temperaturën e ujit;
  • Ndjekin dinamikën e ndryshimit të peshës dhe shëndetit të peshkut;
  • Kontrollojnë rrjetat që çahen nga vetë peshqit ose nga grabitqarët jashtë rrjetave dhe bëjnë ndërrimin e tyre për të ruajtur pastërtinë e ambientit;
  • Montojnë dhe kontrollojnë sistemet e sigurisë të impiantit me litarë, zinxhirë, ankora dhe shumë aksesorë të tjerë;
  • Mirëmbajnë makineritë dhe pajisjet në fermat apo impiantin e prodhimit të gjallesave ujore;
  • Evidentojnë dhe mbajnë shënime mbi programin e përcaktuar, proceset e kryera, sasitë, trajtimet e ndryshme të bëra etj. (pra çdo gjë që ndodh në ditën e punës);
  • Përgatitin peshkun apo prodhime të tjera ujore për treg;
  • Kryejnë pastrimin, ngrirjen, ftohjen ose kriposjen e peshkun apo prodhime të tjera ujore;
  • Shpërndajnë, tregtojnë apo bëjnë marketing të produkteve;
  • Realizojnë detyra të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një kultivues i gjallesave ujore mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin Inxhinier agrar në akuakulturë.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë profesion duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: kultivues guaskash, kultivues peshku, kultivues prodhimesh deti etj.

Profesionet në këtë grup

  • Kultivues guaskash
  • Kultivues peshku
  • Kultivues prodhimesh deti
  • Kultivues algash
  • Punonjës i kualifikuar për larva peshku
  • Kultivues midhjesh

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye