6124Rritës të bletëve

Grup njësi · 2 profesione

Përshkrimi

Rritës të bletëve kryen veprime të nevojshme për mbarështimin dhe kujdesin ndaj insektit të bletës dhe për mbledhjen e produkteve të saj. Ai kujdeset për kosheret e bletëve duke kryer kontrolle të herëpashershme, kontrollon për ekzistencën e mbretëreshës, rezervat ushqimore, etj. duke bërë edhe zëvendësimet e nevojshme. Ai bën trajtime të nevojshme me medikamente dhe dezinfektime për sëmundje të ndryshme. Ai mund të punësohet në kompani, ferma të ndryshme apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Përcaktojnë sasinë koshereve për të cilat do të kujdesen;
  • Blejnë bletët, kosheret dhe pajisjet e tjera të nevojshme;
  • Konsultohen vazhdimisht me kolegë dhe specialistë të fushës (shoqatën e Bletërritësve);
  • Hartojnë kalendarin vjetor të aktiviteteve të tyre;
  • Krijojnë parkun e bletëve;
  • Bëjnë dezinfektimin e vendqëndrimit të bletëve;
  • Riparojnë kosheret e dëmtuara;
  • Realizojnë kontrolle teknike periodike të bletëve;
  • Kujdesen për kosheret e bletëve në kohë të këqija;
  • Kryejnë kontrollin pranveror për ekzistencën e mbretëreshës, rezervat ushqimore, etj. bëjnë zëvendësimet e nevojshme;
  • Bëjnë trajtime të nevojshme me medikamente dhe dezinfektime për sëmundje të ndryshme;
  • Bëjnë zëvendësime të nevojshme të hojeve në periudhën e duhur;
  • Përgatitin shurupin e sheqerit dhe realizojnë ndërhyrjen me ushqim në periudhën e duhur për bletët;
  • Shtojnë korniza të tjera në se duhen (maj - 15 qershor);
  • Parandalojnë fenomenin e roitjes (duke prishur qelizat e tepërta të mbretëreshave);
  • Bëjnë përgatitjet për mbledhjen e mjaltit;
  • Realizojnë procesin e shtegtimit të bletëve për në zona malore;
  • Realizojnë vjeljen e mjaltit kur është arritur vulosja deri në ¾ e saj;
  • Realizojnë qëndrimin në kullota vjeshtore;
  • Realizojnë kthimin e bletëve në parkun e tyre fillestar;
  • Bëjnë përpunimin dhe ruajtjen e produkteve të bletës (qumështit të bletës, polenit, propolisit, dyllit, helmit të bletës) ;
  • Bëjnë magazinimin e produkteve të bletës sipas kushteve dhe parametrave specifike të kërkuara;
  • Kryejnë përgatitjen e produkteve për treg;
  • Kryejnë shpërndarjen apo marketingun e produkteve në treg ose konsumojnë ato për nevoja vetjake;
  • Kryejnë mbikëqyrjen e punëtorëve të tjerë;
  • Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të ketë kryer praktikë pranë një bletërritësi me eksperiencë.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor por është e domosdoshme që të ketë njohuri shumë të mira mbi biologjinë e zhvillimit të bletës. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një bletërritës mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel zooteknik, veteriner apo manaxher blegtoral, sipas specialitetit.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Profesionet në këtë grup

  • Bletërritës
  • Fermer i kualifikuar bletësh

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye