6115Kultivues të varieteteve të përziera
Grup njësi · 2 profesione
Përshkrimi
Kultivuesi i varieteteve të përziera merret me planifikimin, organizimin dhe kryerjen e punimeve bujqësore për të kultivuar dhe korrur prodhimet, vjelë pemët, pastrojnë shkurret, mbledhin dhe mbjellin frute të egra. Ata rrisin, kujdesen apo gjuajnë kafshët dhe shpendët, prodhojnë një shumëllojshmëri të produkteve bujqësore dhe shtazore për shitje, kultivojnë, ruajnë dhe shfrytëzojnë pyjet, shesin, shpërndajnë apo kryejnë marketing të produkteve të tyre për treg. Ata mund të punësohen në kompani shërbimesh bujqësore, prodhimi të produkteve bujqësore dhe blegtorale apo të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Përgatitin tokën për mbjellje me dorë ose me makinë;
- Planifikojnë dhe koordinojnë aktivitetet për prodhimin e varieteteve të përziera, në përputhje me rrethanat;
- Bëjnë përzgjedhjen, shtimin e kulturave të përziera me fara, me fidanë, në mënyrë vegjetative, me zhardhok (qepujkë) etj;
- Kryejnë mbjelljen e farave dhe kalemave, sipas llojit, kushteve dhe kërkesave të tyre (temperaturës etj.);
- Kultivojnë perime, bimë të arave, lule dhe bimë dekorative;
- Kryejnë shërbimet e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e kulturave të përziera (vaditjen, prashitjen, heqjen e barërave të këqija dhe gjetheve të thara, plehërimin krasitjen, spërkatjen me pesticide etj.);
- Ngrenë sistemin e ujitjes apo operojnë me pajisje të ujitjes;
- Krijojnë kushtet e përshtatshme në sera (hijezim, ajrim, ngrohje, lagështi) sipas llojit të kulturave bujqësore;
- Kryejnë korrjen, vjeljen apo mbledhjen e prodhimeve dhe produkteve bujqësore;
- Bëjnë paketimin apo magazinimin e prodhimeve dhe produkteve bujqësore dhe krijojnë kushtet e duhura për ruajtjen dhe shitjen në treg të tyre;
- Rritin kafshë, shpendë, bletë etj. për nevoja personale apo për treg;
- Kujdesen për mirërritjen e kafshëve, shpendëve, bletëve dhe prodhimeve të tyre;
- Prodhojnë një shumëllojshmëri të produkteve bujqësore dhe shtazore për shitje;
- Ruajnë dhe kryejnë përpunimin e disa produkteve të prodhuara;
- Shesin, shpërndajnë apo bëjnë marketing për produktet e veta;
- Ruajnë dhe mirëmbajnë veglat e punës, ndërtesat dhe strukturat bujqësore, pajisjet dhe sistemet e furnizimit me ujë, etj;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Marrin masa për sigurimin e cilësisë dhe sigurisë së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një kultivues i varieteteve të përziera mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës deri në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e agronomit të lartë.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktivitetit si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: fermer për disa lloj produktesh, punonjës i kualifikuar për produkte blegtorale, specialist për produkte bujqësore etj.
Profesionet në këtë grup
- Kultivues i varieteteve të përziera
- Punonjës i kualifikuar ferme të varieteteve të përziera

