6114Kopshtarë, kultivues të kopshtarisë dhe fidanëve

Grup njësi · 21 profesione

Përshkrimi

Kopshtari, kultivuesi i kopshtarisë dhe fidanëve kryen veprime të nevojshme për mbjelljen, kultivimin, shtimin, trajtimin dhe mirëmbajtjen e fidanëve të luleve, pemëve apo bimëve të tjera dekorative të prodhimeve të kopshtarisë e të fidanishteve, për shitje apo përdorime vetjake. Ai mund të punësohet në kompani, në parqe, lulishte, ferma të ndryshme të prodhimeve bujqësore apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Konsultohen me kolegët apo specialistët e fushës për mbarëvajtjen e punës;
  • Sigurojnë bazën materiale (dheun, plehun, farërat, kalemat, etj.) dhe veglat e punës;
  • Bëjnë blerjen e farave, plehrave dhe pesticideve;
  • Përgatitin vendin për mbjellje;
  • Bëjnë shtimin e kulturave të gjelbërimit me fara;
  • Bëjnë shtimin e kulturave të gjelbërimit në mënyrë vegjetative;
  • Bëjnë shtimin e kulturave të gjelbërimit me zhardhok (qepujkë);
  • Përzgjedhin farat nga bimë shumëvjeçare dhe të shëndetshme sipas llojit dhe periudhës së pjekjes dhe periudhës së arrirë të farës;
  • Përzgjedhin kalemat në bimë shumëvjeçare dhe të shëndetshme sipas llojit dhe periudhës së duhur (kalendarit të tyre);
  • Kryejnë ruajtjen e farave (sipas parametrave të caktuara për ajrosje, ndriçim, nivel lagështie) në vende të thata dhe të ajrosura;
  • Bëjnë shtratifikimin e kalemave për 15 ditë (me qëllim kallusimi);
  • Kryejnë mbjelljen e farave dhe kalemave në parcela, vllaja (farishte dhe kalemtare), sera sipas llojit, kushteve dhe kërkesave të tyre (temperaturë);
  • Kryejnë mbjelljen e luleve zbukuruese në arka, tava apo vazo;
  • Bëjnë transplantimin (kalimin e lules nga farishtja në vazo) e fidanëve në vazo apo parcela;
  • Kryejnë shërbimet e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e kulturave të gjelbërimit dhe bimëve dekorative (vaditjen, prashitjen, heqjen e barërave të këqija dhe gjetheve të thara, plehërimin, krasitjen, spërkatjen me pesticide);
  • Bëjnë përgatitjen përfundimtare të kulturave të gjelbërimit sipas standardeve dhe kushteve teknike të caktuara (mosha, diametri dhe lartësia);
  • Krijojnë kushtet e përshtatshme në sera (hijezim, ajrim, ngrohje, lagështi) sipas llojit të kulturave të gjelbërimit dhe bimëve dekorative;
  • Kryejnë shartime në kultura të caktuara të gjelbërimit në periudhën e përshtatshme;
  • Kryejnë kompozime të kulturave të gjelbërimit duke pasur parasysh kushtet dhe kërkesat e rritjes dhe zhvillimit të tyre;
  • Kultivojnë lule për buqeta në sera toke;
  • Bëjnë shpërndarje apo marketing për produktet e veta;
  • Përgatitin buqeta lulesh sipas kërkesave të klientëve;
  • Ruajnë llojshmërinë e florës sonë;
  • Ruajnë dhe mirëmbajnë veglat e punës;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, kopshtari, kultivuesi i kopshtarisë dhe fidanëve mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës deri në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel agronom të lartë ose inxhinier lulesh.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) kopshtari, kultivuesi i kopshtarisë dhe fidanëve, duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, agrokulturë, agromjedis, agronomi, silvikulturë.

Profesionet në këtë grup

  • Kopshtar
  • Kopshtar farishtesh
  • Kopshtar parqesh
  • Kopshtar prodhimesh për treg
  • Kopshtar serash
  • Kujdestar i fushës së sportit
  • Kultivues erëzash në fidanishte
  • Kultivues farërash
  • Kultivues i kulturave të luleve në fidanishte
  • Kultivues lulesh
  • Kultivues fidanësh
  • Kultivues zarzavatesh
  • Lulerritës
  • Lulishtar
  • Punonjës ferme i kualifikuar për fidanishte
  • Punonjës fidanishteje
  • Punonjës i kualifikuar hortikulture
  • Punonjës i kualifikuar për buqeta dhe kurora lulesh
  • Punonjës i kualifikuar kopshtarie
  • Punonjës i kualifikuar sere
  • Shartues kulturash shkurrore

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye