6113Kultivues të pemëve dhe shkurreve

Grup njësi · 19 profesione

Përshkrimi

Kultivuesi i pemëve dhe shkurreve kryen veprime të nevojshme për kultivimin e pemëve dhe shkurreve pasi ka bërë më parë studimin, vlerësimin dhe përcaktimin e kushteve tokësore dhe ekonomike të domosdoshme për ngritjen e një pemëtore, vreshti, ullishte apo pylli. Ai realizon të gjitha proceset e punës së nevojshme për një zhvillim normal të kulturave që nga procesi i mbjelljes deri në mbledhjen e prodhimit duke njohur mirë biologjinë e zhvillimit të tyre dhe përdorimin e mjeteve apo makinerive bujqësore. Ai mund të punësohet në kompani komplekse bujqësore, ferma të ndryshme të prodhimeve bujqësore apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Realizojnë studimin fiziko-kimik të tokës, analiza pedologjike dhe agrokimike me specialistë të fushës përkatëse;
  • Konsultohen me kolegë, me specialistë të fushës dhe specialistë të ekonomisë për një plan biznesi;
  • Bëjnë drenazhimin e parcelës;
  • Bëjnë përcaktimin e kulturave dhe varieteteve të tyre duke i përshtatur ato me kushtet klimatike të fushës që do të mbillet;
  • Përzgjedhin fidanët e varieteteve përkatëse për mbjellje;
  • Bëjnë blerjen e fidanëve dhe pesticideve (plehrave);
  • Bëjnë piketimin e bllokut të pemëtarisë në mënyrë që të lejojnë mekanizime të mëtejshme;
  • Bëjnë plugimin e thellë të parcelës (46 cm);
  • Bëjnë nivelimin e sipërfaqes së tokës;
  • Përcaktojnë rrugët dhe kanalet vaditës;
  • Bëjnë hapjen e gropave;
  • Bëjnë shpërndarjen e plehut organik ose kimik;
  • Bëjnë shpërndarjen e fidanëve;
  • Bëjnë freskimin e rrënjëve të fidanëve;
  • Realizojnë mbjelljen e fidanëve duke ruajtur drejtimin dhe largësitë e duhura (sipas parametrave përkatës për çdo varietet);
  • Bëjnë ngjeshjen e mirë të kulturave duke lënë mbi sipërfaqen e tokës nyjën e shartimit;
  • Vendosin kunjat mbështetëse duke bërë dhe lidhjet përkatëse;
  • Bëjnë krasitjen e fidanëve sipas formës së përcaktuar në fillim për llojin e kulturës;
  • Bëjnë spërkatje me pesticide apo herbicide (doza përcaktohet nga specialisti i mbrojtjes së bimëve) për mbrojtjen e kulturave nga barërat e këqija;
  • Bëjnë shërbime të tjera të domosdoshme sipas kërkesave të stadit të zhvillimit të kulturës (plehërim, ujitje, spërkatje, punime të tokës rreth kurorës, në mes rreshtash me mjete të mekanizuara ose me mjete të thjeshta etj.);
  • Bëjnë prashitje të pemës;
  • Bëjnë krasitje të gjelbra (periudha pranverore);
  • Bëjnë shartime të ndryshme në periudha të përshtatshme;
  • Ndjekin momentin teknik të pjekjes së prodhimit;
  • Marrin me qira ose bëjnë investime për përmirësimin e tokës, ndërtesave, kafshëve të punës, pajisjeve dhe makinerive;
  • Bëjnë pastrimin dhe sistemimin e depove apo magazinave ku do të depozitohen prodhimet;
  • Sigurojnë bazën e nevojshme materiale (arka, thasë, kosha, litar, fuçi, plasmas);
  • Kryejnë depozitimin dhe përpunimet elementare të prodhimeve duke bërë dhe standardizimin e tyre (p.sh në arka me 20 kg);
  • Sigurojnë mjediset dhe pajisjet nevojshme për ruajtjen dhe magazinimin apo përpunimin e prodhimeve sipas parametrave specifikë të tyre;
  • Kryejnë shpërndarjen e prodhimeve bujqësore në treg ose i konsumojnë ato për nevoja vetjake;
  • Sigurojnë mjetet dhe makineritë e domosdoshme për prerjen e lëndëve drusore (për dru zjarri apo materiale ndërtimi);
  • Bëjnë prerjen e lëndëve drusore (për dru zjarri apo materiale ndërtimi) me miratim të shërbimit pyjor;
  • Bëjnë transportimin e lëndës drusore;
  • Bëjnë magazinimin e lëndës drusore;
  • Bëjnë shërbime (pastrim, rrallim të drurëve etj.) në pyll;
  • Kujdesen për kafshët e punës dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të fermave, makinerive dhe pajisjeve;
  • Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë. shkolla e lartë profesionale përbën avantazh.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të ketë një eksperiencë paraprake në këtë fushë.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
  • Të ketë njohuri për përdorimin e mjeteve dhe makinerive bujqësore.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një kultivues i pemëve dhe shkurreve mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës deri në nivel tekniku. Ndjekja arsimit të lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel agronom i lartë apo inxhinier, sipas specialitetit.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e kultivimit të kulturave bujqësore duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Të ketë njohuri për përdorimin e pesticideve dhe certifikatë për këtë fushë.

Profesionet në këtë grup

  • Fermer çaji
  • Fermer për seleksionim, magazinim frutash
  • Fermer kulturash drufrutore
  • Fermer për agrume
  • Fermer për arra
  • Fermer për bimë shkurrore
  • Fermer për kopër
  • Fermer për kopsht pemësh
  • Fermer për ullishta
  • Fermer vreshtash
  • Krasitës bimësh shkurrore
  • Krasitës drufrutorësh
  • Punonjës i kualifikuar për kultivimin e bimëve shkurrore
  • Punonjës i kualifikuar për kultivimin e drurëve frutorë
  • Punonjës i kualifikuar për kultivimin e drurëve të pyllit
  • Punonjës mirëmbajtës në fermat e kulturave drufrutore
  • Shartues i kualifikuar
  • Shartues të pemëve frutore
  • Vinikulturist

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye