6112Kultivues të perimeve dhe bimëve të arave
Grup njësi · 25 profesione
Përshkrimi
Kultivuesi i perimeve dhe bimëve të arave kryen veprime të nevojshme për kultivimin dhe korrjen e drithërave të llojeve të ndryshme si; gruri, misri, thekra dhe drithëra të tjera apo kultivimin e perimeve, të bimëve mjekësore dhe bimë tjera të arave si; orizi, panxhari, kallam sheqeri, duhani, patatet, lakrat, karotat, etj. për shitje apo përdorime vetjake. Ai mund të punësohet në kompani, ferma të ndryshme të prodhimeve bujqësore apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Konsultohen me kolegë, me specialistë të fushës dhe specialistë të ekonomisë (plan biznesi);
- Realizojnë studimin fiziko-kimik të tokës me specialistë të fushës përkatëse;
- Bëjnë përcaktimin e bimëve dhe varieteteve të tyre sipas cilësive të fushës që do të mbillet;
- Përzgjedhin farat ose fidanët për mbjellje;
- Blejnë farat, pesticidet dhe plehrat;
- Marrin me qira ose bëjnë investime për përmirësimin e tokës, ndërtesave, kafshëve të punës, pajisjeve dhe makinerive;
- Kryejnë punimin paraprak (qilizmë) të tokës për mbjellje;
- Bëjnë nivelimin e sipërfaqes së tokës;
- Realizojnë punimin e tokës me plug;
- Realizojnë diskimin apo frezimin e tokës pas plugimit;
- Bëjnë plehërimin bazë (organik ose kimik);
- Bëjnë dezinfektimin e farës ose të rrënjëve të fidanëve para mbjelljes;
- Përcaktojnë normën e farës në makinën mbjellëse;
- Fillojnë procesin e mbjelljes së farës ose fidanëve;
- Kontrollojnë cilësinë e mbjelljes duke bërë korrigjimet e mundshme në makinë kur është e nevojshme;
- Bëjnë kanalet kulluese dhe vaditëse pas mbjelljes, sipas kulturave;
- Bëjnë plehërime suplementare në fazën e 2-3 gjetheve ose kur fillon formimi i rrënjëve të vërteta;
- Bëjnë spërkatje me pesticide apo herbicide (doza përcaktohet nga specialisti i mbrojtjes së bimëve) për mbrojtjen e bimëve nga barërat e këqija;
- Bëjnë shërbime të tjera të domosdoshme gjatë periudhës së vegjetacionit (plehërim, ujitje, spërkatje etj.);
- Bëjnë pastrimin varietor (heq bimët që nuk janë të llojit bazë) 2-3 herë gjatë periudhës së vegjetacionit;
- Kontrollojnë zhvillimin e bimës për të përcaktuar periudhën e pjekjes apo vjeljes;
- Bëjnë pastrimin dhe sistemimin e depove apo magazinave ku do të depozitohen prodhimet;
- Sigurojnë bazën e nevojshme materiale (arka, thasë, kosha, litar etj.);
- Bëjnë triorimin e farës që do të ruajnë për vitin tjetër ose për shitje;
- Kryejnë depozitimin dhe përpunimet elementare të prodhimeve duke bërë dhe standardizimin e tyre (p.sh në thasë me 30 kg);
- Kryejnë shpërndarjen e prodhimeve bujqësore në treg ose i konsumojnë ato për nevoja vetjake;
- Manipulojnë nënproduktet e prodhimeve bujqësore (kashtë );
- Sigurojnë mjediset dhe pajisjet nevojshme për ruajtjen dhe magazinimin e prodhimeve sipas parametrave specifikë të tyre;
- Kujdesen për kafshët e punës dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të fermave, makinerive dhe pajisjeve;
- Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
- Të ketë njohuri për përdorimin e mjeteve bujqësore si pompa spërkatëse, motokultivator, etj.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një kultivues i perimeve dhe bimëve të arave mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës deri në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel agronom apo inxhinier sipas specialitetit.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e kultivimit të kulturave bujqësore duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
- Të ketë njohuri në përdorimin e pesticideve dhe certifikatë për këtë fushë.
Profesionet në këtë grup
- Fermer për bimë arash
- Fermer për bishtajore
- Fermer për drithëra
- Fermer për duhan
- Fermer për grurë
- Fermer për kultura bostanore
- Fermer për kultura fibroze
- Fermer për lin
- Fermer për misër
- Fermer për oriz
- Fermer për pambuk
- Fermer për sojë
- Fermer për zarzavate fushe
- Fermer për zarzavate sere
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e bimëve të arave
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e bimëve vajore
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e zarzavateve të fushës
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e sojës
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e duhanit
- Punonjës i kualifikuar për kultivimin e pambukut
- Punonjës i kualifikuar për patate
- Punonjës për shkuarjen e duhanit në vargje
- Punonjës për trajtimin e duhanit për tharje
- Punonjës i kualifikuar ujitjeje
- Punonjës i kualifikuar për panxhar sheqeri

