5230Arkëtarë dhe shitës biletash
Grup njësi · 11 profesione
Përshkrimi
Arkëtari dhe shitësi i biletave merret me pritjen e klientit dhe dhënien e informacioneve lidhur me shërbimet e ndryshme, oraret e kryerjes së veprimtarive të ndryshme kulturore dhe sportive që kryhen në njësinë e tij, oraret e nisjes së mjeteve të ndryshme të transportit ose informacione të tjera shtesë, kur është e nevojshme. Ai punon me kompjuter apo pajisje të tjera për regjistrimin e parave, të çmimeve, apo shërbimeve të tjera duke i dhëne klientit biletën ose faturën përkatëse. Ai përgatit faturat, biletat dhe kryen marrjen e pagesave për mallra ose shërbime të blerjes në ndërmarrje, dyqane, zyra apo njësi të tjera shërbimi financiar ose shitjeje. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh transporti, shërbimesh, institucione kulturore dhe sportive, në supermarkete, në restorante, në zyra për prerje, emetim biletash, në bankë, kompani të lojërave të fatit etj.
Detyrat kryesore
- Kryejnë parapërgatitjen për fillimin e punës;
- Përditësojnë datën, muajin, vitin në vulën e institucionit përgjatë kryerjes së shërbimit;
- Presin klientët në njësinë e vet të shërbimit;
- Pranojnë dhe verifikojnë paratë e paguara, çekun ose pagesat me karta krediti në njësinë, zyrën e tij ose institucione të ngjashme;
- Kontrollojnë dhe verifikojnë regjistrat para lëshimit të biletave të ndryshme;
- Lëshojnë bileta për transportin që do të kryhet sipas kërkesave të klientit;
- Lëshojnë bileta për frekuentimin e ngjarjeve kulturore dhe sportive;
- Japin, lëshojnë faturën ose biletën përkatëse për shërbimin e kryer;
- Bëjnë numërimin dhe regjistrimin e parave të marra ose të paguara;
- Kryejnë pagesat e pagave për personelin e ndërmarrjes (arkëtar, pagator);
- Japin informacione lidhur me shërbimet e ndryshme që kryhen në njësinë e tyre;
- Përdorin pamflete, broshura dhe forma të tjera informative në shërbim të klientëve;
- Hartojnë dhe kontrollojnë faturat e llogarive duke përdorur sisteme të kompjuterizuara ose manuale;
- Kryejnë marrjen e pagesës së faturave;
- Bëjnë llogaritjet e faturave dhe dorëzimin e tyre në arkën, zyrën përkatëse;
- Mbajnë llogaritë, bilancin e parave dhe shërbimeve të kryera;
- Kontrollojnë dhe përgatitin formularë të parave dhe dokumente të tjera, për depozitimin e tyre në bankë;
- Mbajnë statistika dhe kryejnë studime statistikore për punën e bërë;
- Bëjnë bilance ditore, mujore, vjetore të punës së kryer në njësinë e vet të shërbimit;
- Kryejnë shërbime të tjera të përfunduara ndaj klientit (vendosjen e mallrave në qese);
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë (ekonomike).
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë një person shumë korrekt në vendin e punës.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një arkëtar dhe shitës biletash mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në manaxheri në një njësi shërbimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin ekonomist, financier, etj.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: biletashitës, arkëtar pagator, nëpunës llogaritar, nëpunës lojëra fati, arkëtar, kasher në supermarket, etj.
Profesionet në këtë grup
- Arkëtar biletari
- Arkëtar hotel/dyqan vetëshërbim
- Arkëtar magazine
- Arkëtar pagator
- Arkëtar/kasher në supermarket
- Arkëtar restorant
- Arkëtar zyre
- Nëpunës emetim biletash/prerja
- Nëpunës biletarie për lojërat e fatit
- Operator kontrollit dhe pagesës së mallit
- Operator i shërbimit në kasën e pagesës

