523Arkëtarë dhe shitës biletash
Grup i vogël · 1 Nëngrupe
Përshkrimi
Arkëtarët dhe shitësit e biletave merren me pritjen e klientit duke dhënë informacione lidhur me shërbimet e ndryshme, oraret e kryerjes së shërbimeve apo veprimtarive të ndryshme, si dhe informacione të tjera shtesë, kur është e nevojshme. Ata kryejnë regjistrimin e shërbimit të kryer sipas procedurave të paracaktuara duke i dhënë klientit biletën ose faturën përkatëse, kryejnë marrjen e pagesave për mallra ose shërbime të kryera, ata kryejnë llogaritje dhe shërbime të tjera të thjeshta financiare. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh transporti, institucione kulturore dhe sportive, në supermarkete, në restorante, në bankë, kompani të lojërave të fatit, në institucione të ndryshme shërbimesh, etj., apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Kryejnë parapërgatitjen për fillimin e punës;
- Presin klientët në njësinë e vet të shërbimit;
- Pranojnë dhe verifikojnë paratë e paguara, çekun ose pagesat me karta krediti në njësinë, zyrën e tij ose institucione të ngjashme;
- Kontrollojnë dhe verifikojnë regjistrat para lëshimit të biletave apo faturave të ndryshme;
- Lëshojnë bileta apo fatura për shërbimin e kryer sipas kërkesave të klientit;
- Kryejnë pagesat e pagave për personelin e ndërmarrjes (arkëtar, pagator);
- Japin informacione lidhur me shërbimet e ndryshme që kryhen në njësinë e tyre;
- Përdorin mjete dhe forma të ndryshme informative në shërbim të klientëve;
- Hartojnë dhe kontrollojnë faturat e llogarive duke përdorur sisteme të kompjuterizuara ose/dhe manuale;
- Bëjnë llogaritjet e faturave dhe dorëzimin e tyre në arkën, zyrën përkatëse;
- Mbajnë llogaritë, bilancin e parave dhe shërbimeve të kryera;
- Kontrollojnë dhe përgatisin formularë të parave dhe dokumente të tjera, për depozitimin e tyre në bankë;
- Kryejnë llogaritje të thjeshta për shitjet dhe blerjet e bëra;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në fushën përkatëse.
- Korrektësi maksimale në raport me punën.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

