1347Drejtues të bibliotekave, muzeumeve, arkivave dhe galerive të artit

Grup njësi · 5 profesione

Përshkrimi

Drejtuesit e bibliotekave muzeumeve, arkivave dhe galerive të artit mbikëqyrin gjithë aktivitet, sigurinë dhe magazinimin brenda kushteve të kërkuara të koleksioneve të artit, artefakteve, arkivave, librave etj. Ata drejtojnë dhe planifikojnë ekspozitat në mjediset e tyre, sigurojnë përmes kontratave apo blerjeve, libra, piktura, skulptura dhe vepra arti. Menaxhojnë fondet në dispozicion dhe lobojnë për rritje fondesh, aplikojnë për grande që nevojiten për mirëmbajtjen e objekteve apo arkivave të tyre, si dhe për promovimin e organizatës.

Detyrat kryesore

  • Planifikojnë dhe menaxhojnë buxhetin e caktuar, sigurojnë përdorimin me eficiencë të fondeve në dispozicion;
  • Organizojnë aktivitete, ekspozita, në varësi të programeve apo eventeve të veçanta;
  • Mbikëqyrin kushtet e sigurisë së ruajtjes së objekteve, librave, veprave të artit, arkivave;
  • Nënshkruajnë kontrata me kompani për ruajtjen, rehabilitimin, kurimin e veprave të artit;
  • Mbikëqyrin punën për blerjen apo pranimin e objekteve të reja në muze, galeri etj.;
  • Përcaktojnë rregulla dhe procedura strikte për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e objekteve, librave, veprave të artit si dhe mënyrën e përdorimit të tyre;
  • Organizojnë punën e personelit, turnet, oraret, rekrutojnë, trajnojnë dhe mbikëqyrin performancën e tyre;
  • Menaxhojnë punët e përditshme në muze, galeri, bibliotekë etj.;
  • Studiojnë, bëjnë kërkime dhe adoptojnë mënyrat apo teknikat më të reja për ruajtjen e objekteve me vlerë;
  • Menaxhojnë fushata marketingu për të rritur dukshmërinë e organizatës në media dhe për të shtuar vizitorët;
  • Planifikojnë, drejtojnë dhe koordinojnë gjithë procedurat e shërbimeve në organizatën e tyre;
  • Koordinojnë bashkëpunimin me agjenci të tjera shërbimi në fusha të njëjta;
  • Lobojnë ose aplikojnë për grante për të shtuar fondet për organizatën që drejtojnë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurisë në punë dhe rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
  • Menaxhojnë personelin e tyre mbështetës;
  • Rritin aftësitë e tyre profesionale.

Kërkesat

  • Të kenë përfunduar studimet universitare dhe të jenë të pajisur me një diplomë të studimeve “master shkencor” ose “master i arteve”, apo të barasvlershme me to, sipas kuadrit ligjor të arsimit të lartë;
  • Të kenë reputacion të mirë (të mos kenë masa disiplinore në fuqi);
  • Të kenë eksperienca pune të mëparshme në të njëjtin pozicion ose pozicione të ngjashme;
  • Aftësi të mira kompjuterike, njohja e programeve bazë;
  • Mund të kërkohen edhe njohuria e gjuhëve të huaja, veçanërisht e gjuhës Angleze.
  • Aftësi analitike dhe drejtuese.

Informacion shtesë

Një individ mund ta nisë punën si ndihmës, teknik, kurator në këto organizata duke pasur dhe thjesht arsim para universitar profesional. Me eksperiencë, kualifikim shtesë dhe aftësi drejtuese ai mund të punojë si drejtor në këto organizata. Duke pasur arsim universitar apo pasuniversitar ai mund të punësohet në institucione më të mëdha të këtij lloji dhe të menaxhojë buxhete e personele më të mëdha.

Profesionet në këtë grup

  • Drejtor në institucione të studimeve arkeologjike
  • Drejtor në arkiva
  • Drejtor në biblioteka
  • Drejtor në galeri arti
  • Drejtor në muze

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye