1343Drejtues të shërbimeve të kujdesit për të moshuar
Grup njësi · 2 profesione
Përshkrimi
Drejtuesit e shërbimeve të kujdesit për të moshuar drejtojnë dhe koordinojnë shërbimet e ofruara nga qendrat rezidenciale për trajtimin e të moshuarve.
Në këto qendra ofrohen shërbime ndaj individëve për shkak të kushteve të pavarura prej tyre, siç mund të jetë mosha e thyer, mospasja e familjes, mospasja e një strehe apo çdo shkak tjetër që e bën të pamundur që ata të kujdesen për veten.
Detyrat kryesore
- Sigurojnë drejtimin e përgjithshëm të institucionit, qendrës apo organizatës që merret me ofrimin e shërbimeve ndaj të moshuarve;
- Zhvillojnë dhe monitorojnë programe të cilat kanë për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj të moshuarve;
- Hyjnë në marrëdhënie me institucione të tjera shtetërore, si dhe me subjekte private për të mundësuar sigurimin e financimeve dhe donacioneve të ndryshme;
- Administrojnë fondet dhe sigurohen për përdorimin me eficiencë të tyre;
- Drejtojnë procesin e rekrutimit, përzgjedhjes dhe trajnimit të personelit;
- Drejtojnë procese të tilla si, planifikimi i buxhetit, hartimi i raporteve në lidhje me veprimtarinë e institucionit, kryerjen e shpenzimeve dhe arritjen e objektivave;
- Përcaktojnë objektivat, nxjerrin urdhra dhe vendosin rregulla në institucionin që drejtojnë;
- Organizojnë trajnime për punonjësit me qëllim për të rritur aftësitë e tyre profesionale;
- Mbikëqyrin zbatimin e rregullave të higjienës, sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Të kenë përfunduar studimet universitare dhe të jenë të pajisur me një diplomë tëstudimeve “master shkencor” ose “master i arteve”, apo të barasvlershme me to, sipaskuadrit ligjor të arsimit të lartë;
- Drejtori duhet të ketë të paktën 2 vjet përvojë pune në fushën e përkujdesjes shoqërore.
- Të mos jetë dënuar penalisht dhe të mos jetë në proces administrativ/gjyqësor për shkelje administrative/financiare;
- Të jenë të aftë mendërisht dhe fizikisht.
Informacion shtesë
Drejtuesit e shërbimeve për të moshuarit kanë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e një grupi social pa përkrahje, siç janë të moshuarit, si dhe rritjen e besimit për jetë me dinjitet dhe pa shqetësime madhore për këtë kategori sociale.
Shkollimi i drejtuesve që ofrojnë këto shërbime preferohet të jetë në degët punë sociale/ psikologji/ sociologji/ mësuesi/infermieri.
Profesionet në këtë grup
- Drejtor i drejtorive të shërbimeve të kujdesit për të moshuar
- Drejtor i shtëpive të shërbimeve të kujdesit për të moshuar

