1321Drejtues në prodhim

Grup njësi · 6 profesione

Përshkrimi

Drejtuesit në prodhim, planifikojnë, drejtojnë dhe koordinojnë aktivitetet prodhuese në një organizatë shtetërore apo publike. Ata marrin parasysh rreziqet, vlerësojnë kostot, zgjidhin problemet dhe marrin masat e nevojshme për mos ndërprerjen e prodhimit dhe për realizimin cilësor të produktit me qëllim maksimizimin e fitimit.

Detyrat kryesore

  • Përcaktojnë, zbatojnë dhe monitorojnë strategjinë, politikat dhe planet për procesin e prodhimit;
  • Planifikojnë detaje të aktiviteteve të prodhimit në termat e sasisë, cilësisë së produktit, kostos, kohës së nevojshme dhe kërkesat për personel;
  • Kontrollojnë operacionin e prodhimit në organizatë dhe procedurat e sigurimit tëcilësisë përmes planifikimit të mirëmbajtjes, përcaktimin e orëve të punës dhe furnizimit me pjesë apo pajisje;
  • Përcaktojnë dhe manaxhojnë buxhetet, monitorojnë prodhimin dhe kostot, si dhe rregullojnë proceset dhe burimet për të minimizuar shpenzimet;
  • Konsultohen me manaxherë të tjerë dhe i informojnë ata për çështje të prodhimit;
  • Mbikëqyrin procesin e blerjes dhe pajisjes së impianteve dhe pajisjeve të reja;
  • Përgjigjen për defektet teknike gjatë punës dhe marrin masa për t’i zgjidhur ato;
  • Kontrollojnë përgatitjen e të dhënave dhe raportimeve për produktin;
  • Koordinojnë zbatimin e kushteve të sigurisë dhe të shëndetit të punonjësve;
  • Identifikojnë mundësitë e biznesit dhe përcaktojnë produktet që do të përpunohen;
  • Studiojnë rregullat e zbatimit dhe kërkesat statutore që prekin veprimtaritë e prodhimit dhe të mjedisit;
  • Vendosin kontrata me klientë e konsumatorë dhe furnitorë;
  • Rekrutojnë, intervistojnë, përzgjedhin, mbikëqyrin trajnimin, shpërblimin dhe performancën e personelit;
  • Organizojnë punën për lehtësimin e personelit, duke ndarë punën në turne, zëvendësimi, ditë pushimi për të siguruar mbarëvajtjen e punës;
  • Studiojnë tregun, konkurrentët, nënshkruajnë kontrata me furnitorët, kontrata investimi, partneriteti, kontrata blerje, shitje etj.;
  • Përfaqësojnë organizatën në takime, konferenca, seminare të fushës së prodhimit që drejtojnë;
  • Studiojnë dhe analizojnë metodat e avancuara, përshtatjen e teknologjisë për të lehtësuar procesin e prodhimit;
  • Këshillojnë, sugjerojnë pronarin, bordin, manaxherët e tjerë drejtues, aksionerët, për përmirësimin e produktit, nxjerrjen e produkteve apo nënprodukteve të reja, nevojën për promovim të produktit, etj.;
  • Zbatojnë legjislacionin në fuqi, rregullat e sigurisë në punë dhe rregullat për mjedisin;
  • Rritin aftësitë e veta profesionale në sektorin prodhues që drejtojnë.

Kërkesat

  • Preferohet arsim i lartë (diplomë ose kualifikime në varësi të sektorit prodhues - ndërtim, industri ushqimore, mekanike, minierë etj.);
  • Të njohin në detaje gjithë hallkat e punës në sektorin prodhues;
  • Të kenë aftësi komunikuese dhe organizimi.

Informacion shtesë

Drejtuesit në prodhim mund të jenë punësuar më parë si teknik të thjeshtë, si specialist apo ndihmës në sektor. Falë eksperiencës, kurseve të kualifikimit ata mund të punojnë më pas si drejtues në prodhim. Element kryesor për të punuar si drejtues në prodhim është njohja në detaje e gjithë procesit të punës në prodhim dhe aftësitë komunikuese e manaxhuese. Drejtuesit në prodhim punësohet në ndërmarrje shtetërore apo private.

Profesionet në këtë grup

  • Drejtor në prodhim
  • Drejtor prodhimi në industri
  • Drejtor prodhimi në industri përpunuese
  • Drejtor prodhimi në industri ushqimore
  • Krye dispeçer
  • Kryeinxhinier

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye