1312Drejtues prodhimi në peshkim dhe akuakulturë
Grup njësi · 6 profesione
Përshkrimi
Drejtuesit e prodhimit në peshkim dhe akuakulturë planifikojnë, koordinojnë dhe drejtojnë në shkallë të gjerë veprimtarinë e peshkimit dhe akuakulturës me anë të prodhimtarisë (nëpërmjet ngritjes së impianteve të mbarështimit artificial të peshkut apo varieteteve/kulturave të tjera të gjallesave ujore), si dhe nëpërmjet gjuetisë në ujërat e ëmbla ose të kripura.
Detyrat kryesore
- Monitorojnë prodhimtarinë në gjuetinë e peshkimit/akuakulturë, si dhe planifikojnë sasinë e cila nevojitet për të përmbushur kërkesat e tregut;
- Kontrollojnë prodhimet e peshkimit/akuakulturës, si dhe bëjnë administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve;
- Bëjnë marrëveshje me kapitenët dhe pronarët e anijeve (peshkarexhë), si dhe me pronarët e fermave të akuakulturës për të bashkërenduar veprimtarinë e prodhimit dhe të peshkimit;
- Organizojnë dhe kryejnë testime në lidhje me identifikimin e sëmundjeve ose të parazitëve të ndryshëm;
- Marrin masa për të përmirësuar vendet e rritjes dhe të ruajtjes së peshkut siç mund të jenë rezervatet ose basenet e ndryshme (marrin masa për uljen e ndotjes së ujit në jetën ujore);
- Drejtojnë procesin e riprodhimit të peshkut dhe monitorojnë lëndët, teknikat dhe afatet e përdorura si dhe investojnë të gjitha njohuritë profesionale në këtë proces;
- Monitorojnë transferimin e peshkut i cili ka arritur formimin (pjekurinë, ditën e caktuar) nga ambienti ujor ku është rritur drejt tregjeve;
- Sigurojnë furnizimet, mjetet/pajisjet, si dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për kryerjen e aktivitetit(p.sh rrejta);
- Organizojnë mirëmbajtjen e anijeve, varkave, si dhe çdo pajisje tjetër që është në funksion të aktivitetit;
- Përzgjedhin, pranojnë dhe trajnojnë dhe vlerësojnë performancën e personelit të peshkimit.
Kërkesat
- Preferohet, të kenë përfunduar studimet universitare;
- Të kenë eksperiencë punë në pozicione të njëjta ose të ngjashme;
- Të njohin mirë faunën ujore;
- Të jenë të aftë mendërisht dhe fizikisht.
Informacion shtesë
Janë të përshtatshëm për këtë profesion, pozicione të tilla si, biologë, botanistë dhe profesione të ngjashme.
Profesionet në këtë grup
- Drejtor në fushën e zhvillimit të akuakulturës
- Drejtor në fushën e peshkimit
- Manaxher i prodhimit në akuakulturë
- Manaxher i operacioneve të peshkimit
- Kapiten peshkimi
- Manaxher barke peshkimi

