1116Nëpunës të lartë të organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve
Grup njësi · 8 profesione
Përshkrimi
Nëpunës të lartë të organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve përcaktojnë, përpilojnë dhe drejtojnë zbatimin e politikave të organizatës. Ata mbrojnë të drejtat e anëtarëve të organizatës, lobojnë dhe negociojnë në emër të tyre. Ata përfaqësojnë organizatën në takime, seanca dëgjimi apo forume dhe japin llogari për veprimet dhe financat e organizatës.
Detyrat kryesore
- Përcaktojnë dhe përpilojnë politika, rregulla dhe udhëzime të organizatës;
- Planifikojnë, drejtojnë dhe koordinojnë funksionimin e përgjithshëm të organizatës;
- Rishikojnë veprimet dhe rezultatet e organizatës dhe raportojnë në bordet e drejtorëve, anëtareve të organizatës apo agjencive të financimit;
- Negociojnë në emër të organizatës, të anëtarëve të saj dhe grupeve përkatëse të interesit;
- Promovojnë interesat e organizatës, anëtarëve të saj dhe grupeve të interesit para ligjvënësve, qeverisë apo publikut etj.;
- Planifikojnë, organizojnë dhe drejtojnë seksione që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave, programeve, rregullave dhe udhëzimeve të organizatës;
- Sigurojnë zbatimin e sistemeve dhe procedurave të përshtatshme për të garantuar kontrollet buxhetore;
- Monitorojnë dhe vlerësojnë performancën e organizatës ose ndërmarrjes kundrejt objektivave dhe politikave të përcaktuara;
- Përfaqësojnë organizatën në takimet zyrtare në takimet e bordit, në negociata, në kongrese, seanca publike apo forume;
- Sigurojnë që të drejtat e anëtarëve të tyre të dëgjohen e respektohen;
- Punojnë për përmirësimin e standardeve të sigurisë së punonjësve;
- Lobojnë për integritetin e organizatës;
- Kërkojnë paga më të larta, përfitime të tjera më të mira, si kujdes shëndetësor, kujdes për pensionin, kërkojnë kushte më të mira pune etj.;
- Kërkojnë shtim të punonjësve për të kryer një punë të caktuar;
- Negociojnë për rregulla pune, procedura ankimore, politika të promovimit në punë;
- Menaxhojnë gjithë dokumentacionin e organizatës;
- Menaxhojnë personelin e tyre mbështetës;
- Rritin aftësitë e tyre profesionale.
Kërkesat
- Arsim i mesëm ose i lartë;
- Trajnime profesionale;
- Aftësi për të vepruar;
- Aftësi drejtuese dhe organizative.
Informacion shtesë
Një individ mund të marrë këtë rol duke pasur dhe arsim të mesëm. Ai mund të zgjidhet nga sindikata e punonjësve apo nga organizata e punëdhënësve për t’i përfaqësuar në rast se plotëson më tepër kritere që lidhen me integritetin, autoritetin, dinjitetin etj. Ai mund të rizgjidhet në bazë të statuteve të organizatës së punëdhënësve apo punëmarrësve.
Profesionet në këtë grup
- Kryetar i një organizate punëdhënësish
- Nëpunës i lartë i organizatave të punëdhënësve
- Nëpunës i lartë i organizatave të punëmarrësve
- President i një organizate të punëdhënësve
- Sekretar i një organizate të punëdhënësve
- Sekretar i një sindikate
- Sekretar i përgjithshëm i një organizate të punëdhënësve
- Sekretar i përgjithshëm i një sindikatë

