1113Diplomatë
Grup njësi · 19 profesione
Përshkrimi
Diplomatët janë përfaqësues të shtetit i cili e ka ngarkuar ata në misione diplomatike dhe këtë mision/veprimtari e kryejnë në një shtet tjetër dhe/ose në një organizatë ndërkombëtare, ku si objekt të veprimtarisë kanë përfaqësimin zyrtar të shtetit Shqiptar, mbrojtjen e interesave të shtetit, të shtetasve ose personave juridikë shqiptarë në shtetin/shtetet, ku ata janë akredituar dhe kryejnë funksionet e tyre.
Diplomatë mund të emërohen personat të cilët vijnë nga karriera diplomatike ose persona të tjerë të cilët nuk ndalohen nga ligji për t’u emëruar në poste diplomatike.
Detyrat kryesore
- Përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në shtetin pritës ose në organizatat ndërkombëtare;
- Mbrojnë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe të shtetasve ose personave juridikë të saj në shtetin pritës, brenda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare;
- Nxitin zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, teknologjike, të informacionit, diplomatike-konsullore dhe në çdo fushë tjetër ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit pritës, në një frymë miqësore e bashkëpunimi;
- Japin të dhëna në Ministrinë e Punëve të Jashtme për zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të shtetit pritës dhe për veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare, pranë të cilave janë akredituar;
- Bashkëpunojnë me delegacionet e Republikës së Shqipërisë në bisedimet që zhvillohen në shtetin pritës dhe marrin pjesë në bisedime me qeverinë e shtetit pritës në përgatitjen për nënshkrim e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe në veprimtarinë e konferencave ndërkombëtare;
- Misionet diplomatike kryejnë edhe funksione ose veprimtari të tjera siç janë edhe funksionet konsullore;
- Ushtrimi i funksioneve konsullore përqendrohet në zhvillimin e marrëdhënieve me shtetin pritës në fushat e ekonomisë, tregtisë, kulturës, shkencës dhe informacionit;
- Ushtrimi i funksioneve konsullore ka për detyrë të njoftojë organet përkatëse të shtetit pritës, në zonën e tij konsullore, për kushtet dhe gjendjen ekonomike, tregtare, kulturore e shkencore në Republikën e Shqipërisë.
Kërkesat
- Të kenë shtetësi shqiptare dhe banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;
- Të kenë përfunduar studimet universitare dhe të jenë të pajisur me një diplomë “master shkencor” ose “master i arteve” apo të barasvlershme me to, sipas kuadrit ligjor të arsimit të lartë;
- Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të mos jenë dënuar për kryerjen e një vepre penale;
- Të mos jetë marrë, ndaj tyre, masa disiplinore e largimit nga puna nga administrata publike;
- Të jenë në kushte të mira shëndetësore për të kryer detyrën;
- Të zotërojnë gjuhë të huaj të pranueshme dhe të përshtatshme për punën në shërbimin e jashtëm.
Informacion shtesë
Diplomatët emërohen në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në shtete të tjera, të paktën dy vjet pasi kanë marrë gradën e parë diplomatike (atashe) dhe si rregull duhet të qëndrojnë në të njëjtën përfaqësi diplomatike për të paktën 4-vjet. Kriteri që të jep avantazh është njohja e sa më shumë gjuhëve të huaja;
Diplomatët “Gradohen” sipas një sistemi të veçantë me Gradat diplomatike, të cilat janë: ambasador, ministër fuqiplotë, ministër këshilltar, këshilltar, sekretar i parë, sekretar i dytë, sekretar i tretë, atashe.
Në lidhje me Gradat diplomatike, me masat disiplinore dhe me diplomatët, ligji Nr. 9095/2003 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë” ka krijuar komisionin e disiplinës i cili ka për detyrë dhënien e gradave diplomatike për nëpunësit e shërbimit të jashtëm, shqyrtimin e ankesave të nëpunësve të shërbimit të jashtëm, ndaj të cilëve është marrë masë disiplinore nga eprori direkt i tyre etj.
Profesionet në këtë grup
- Agjent konsullor
- Ambasador
- Atashe
- Diplomat
- Këshilltar
- Konsull i përgjithshëm
- Konsull
- Ministër fuqiplotë
- Ministër këshilltar
- Nëpunës i ngarkuar me punë në ambasadë
- Nëpunës konsullate
- Sekretar i dytë në përfaqësi diplomatike
- Sekretar i parë në përfaqësi diplomatike
- Sekretar i tretë në përfaqësi diplomatike
- Sekretar ekzekutiv në zyrë konsullore
- Sekretar zyre konsullore
- Shef i misionit diplomatik
- Shef i përfaqësive diplomatike
- Zëvendës konsull

