1111Ligjvënës dhe drejtues të lartë shtetëror
Grup njësi · 10 profesione
Përshkrimi
Ligjvënësit dhe drejtuesit e lartë shtetërorë përcaktojnë, hartojnë, normojnë dhe zbatojnë politikat shtetërore, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor. Ata marrin pjesë në hartimin e legjislacionit të ri dhe në ndryshimet e legjislacionit ekzistues, përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtarë, nëpërmjet procedurës parlamentare.
Ligjvënësit dhe drejtuesit e lartë shtetërorë kontrollojnë dhe vlerësojnë veprimtarinë e organeve të administratës publike, organeve të pavarura të nivelit qendror dhe vendor, si dhe të agjencive të ndryshme ligj zbatuese.
Detyrat kryesore
- Marrin pjesë ose kryesojnë punimet e organit legjislativ, si dhe në organet përfaqësuese;
- Marrin pjesë në përcaktimin, hartimin dhe drejtimin e politikave shtetërore në nivel qendror apo vendor;
- Marrin pjesë në hartimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e legjislacionit duke iu përmbajtur parashikimeve kushtetuese dhe ligjore;
- Marrin pjesë në komisionet, këshillat parlamentare apo komitete administrative duke ushtruar edhe të drejtat që rrjedhin nga anëtarësimi në këto struktura;
- Hetojnë çështje të veçanta që paraqesin interes publik;
- Mbajnë lidhje me zgjedhësit, të cilët e kanë zgjedhur dhe transmetojnë problematikat e tyre duke propozuar edhe një zgjidhje para legjislativit dhe /ose ekzekutivit, si dhe i mbajnë, zgjedhësit të informuar mbi politikat e qeverisë;
- Marrin pjesë në bisedime me ligjvënës e tjerë, si dhe me përfaqësues të grupeve të interesit në mënyrë që të bashkërendojë interesat e ndryshme me qëllim arritjen e marrëveshjeve dhe hartimin e politikave;
- Kërkojnë shpjegime nga institucione të administratës shtetërore brenda kompetencave të tyre;
- Kërkojnë marrjen e masave disiplinore nëse konstatojnë shkelje të legjislacionit nga nëpunësit/punonjësit e administratës publike.
Kërkesat
- Të mos iu jetë kufizuar apo hequr zotësia juridike për të vepruar;
- Të mos jetë duke vuajtur dënimin;
- Të mos jetë i dënuar me parë me burgim me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi;
- Të mos ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë publike dhe private gjatë periudhës së kryerjes së këtyre detyrave shtetërore.
Informacion shtesë
Deputetët mund të kryejnë njëkohësisht edhe detyrën e ministrit. Në këtë rast ata bëjnë drejtimin e ministrisë përkatëse, si dhe përgjigjen politikisht para Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave.
Ministri, përveç kompetencave ose detyrave që parashikohen në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri.
Deputetët mundet që të ushtrojnë aktivitet privat por me kusht që të mos përfitojnë nga fondet e buxhetit qendror dhe vendor.
Në rastin e Presidentit të Republikës, mosha për t’u zgjedhur është minimalisht 40 vjeç.
Profesionet në këtë grup
- Deputet
- Kryeministër
- Kryetar bashkie
- Kryetar parlamenti
- Ministër
- Nënkryetar parlamenti
- President i Republikës
- Sekretar Shteti
- Zëvendës kryeministër
- Zëvendës ministër

