Nis duke kërkuar profesion më të mirë,
Bëhu vizionar!
Punëtorët e punimit të metaleve dhe montimit të makinerive merren me organizimin e punës në njësinë e vet të shërbimit duke përzgjedhur veglat dhe pajisjet e duhura. Ata shkrijnë, derdhin, formësojnë dhe përgatisin detale të ndryshme, saldojnë, presin dhe ngjisin metale me materiale dhe metoda të ndryshme, bëjnë prerje, kthime, përkulje, shpime të nevojshme për bashkimin apo montimin e elementëve metalik, profileve të hekurit, llamarinës, etj. duke përdorur mjetet e pajisjet e duhura, në përputhje me kërkesat teknike të punës për përgatitjen e konstruksione të ndryshme metalike. Ata montojnë kavo çeliku dhe kabllo metalike për anije, ashensorë, avionë, hekurudha, pajisje ngritëse, pajisje zhytëse, puse nafte dhe gazi, teleferikë industrial apo civil, punojnë dhe operojnë me makineri dhe pajisje të ndryshme metal prerëse, montojnë dhe riparojnë makineri dhe pajisje industriale dhe kryejnë riparime të ndryshme të detaleve, konstruksioneve metalike, makinerive metal prerëse etj. Punëtorët e punimit të metaleve dhe montimit të makinerive riparojnë dhe mirëmbajnë automjete, avionë dhe lokomotiva, makina bujqësore dhe industriale etj. duke kryer punime axhustatori, elektroauto, xhenerike, karrocerie, gomisterie, mekanike etj. Ata mund të punësohen në kompani të punimeve dhe shërbimeve të ndryshme mekanike, ofiçina të makinave metalprerëse në kompani të shërbimeve mekanike industriale, apo të vetëpunësohen.