Fjalor i profesioneve ne Shqiperi

Planifiko të ardhmen tënde!


Merr informacionin e duhur mbi profesionet në tregun e punës në Shqipëri. Shiko cili është profesioni që të përshtatet më tepër dhe gjej veten në tregun e vendit.


Nis duke kërkuar profesion më të mirë,
Bëhu vizionar!

Fillo!

Përshkrim i përgjithshëm

Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhur me to aplikojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre të veçanta në fusha të ndryshme të veprimtarisë profesionale, të tilla si: ndërtimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave, trajtimi i metaleve dhe ndërtimi i strukturave të metaleve, prodhimi i veglave të punës dhe instrumenteve matës, mirëmbajtja dhe riparimi i makinerive dhe pajisjeve, prodhimi ose përpunimi i artikujve ushqimorë, metalikë, të tekstilit, të drurit dhe të tjera, duke përfshirë edhe të mirat e prodhuara nga punimet artizanale.

  • Ndërtojnë, mirëmbajnë dhe riparojnë ndërtesa dhe struktura të tjera;
  • Nxjerrin minerale të ngurta;
  • Derdhin, saldojnë dhe formëzojnë metale;
  • Ndërtojnë dhe instalojnë struktura të rënda metalike, pajisje për ngritje dhe të ngjashme me to;
  • Prodhojnë makineri, vegla, pajisje dhe artikuj të tjerë nga metali;
  • Montojnë makineri për operatorët ose montojnë pajisje apo vegla të ndryshme të makinerisë;
  • Përshtatin, mirëmbajnë dhe riparojnë makineri industriale, duke përfshirë motorët dhe automjetet, instrumentet elektrike dhe elektronike dhe pajisje të tjera;
  • Prodhojnë instrumente precizë, artikuj të argjendarisë dhe artikuj të tjerë të çmuar shtëpiakë prej metali, produkte qeramike, qelqi dhe të ngjashme me to;
  • Realizojnë prodhime artizanale;
  • Kryejnë realizimin e punës së shtyp-shkrimit (printimit, stampimit);
  • Prodhojnë dhe përpunojnë produkte ushqimore;
  • Realizojnë artikuj të ndryshëm nga druri, tekstili, lëkura dhe materiale të ngjashme;
  • Mbikëqyrin të tjerë.
Funksionet dhe detyrat e profesioneve në këtë grup realizohen me dorë dhe me vegla të dorës, të cilat përdoren për të zvogëluar përpjekjen fizike dhe kohën e nevojshme për realizimin e detyrave të veçanta, si dhe për përmirësimin e cilësisë së produkteve. Detyrat kërkojnë njohje të të gjitha fazave të procesit të prodhimit, të materialeve dhe mjeteve të punës të përdorura, si dhe për natyrën dhe qëllimin e produktit përfundimtar. Shumica e profesioneve të këtij grupi kryesor kërkojnë shkathtësitë e nivelit të dytë të kompetencës.

Profesionet, montues dhe operatorë të makinave dhe pajisjeve, klasifikohen në Grupin kryesor 8, nëse kryerja e detyrave kërkon përvojë dhe njohuri për makinerinë me të cilën punohet dhe monitorohet.

Profesionet elementare klasifikohen në Grupin kryesor 9, nëse detyrat janë të një natyre të thjeshtë dhe të zakonshme (rutinë), kryesisht përfshijnë përdorimin e veglave të dorës, pak përpjekje fizike, pak ose aspak përvojë të mëparshme dhe njohuri për punë dhe iniciativë ose vlerësim të kufizuar për të.

Për të zhvilluar aktivitet privat në këtë fushë, zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to u duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit. Zejtarët e vetëpunësuar që manaxhojnë biznesin e tyre në mënyrë të pavarur apo me ndihmën e të tjerëve, mund të realizojnë një tërësi detyrash që lidhen me manaxhimin e një biznesi, të tilla si mbajtje llogarish, shërbim ndaj klientit, etj., megjithëse detyra të tilla normalisht nuk përbëjnë një element thelbësor të punës që kryejnë.